Prova te Juventus, Bayern dhe Ajax, talenti që zgjodhi Nordsjaelland: Dhemb kur nuk shkon te Liverpool!

26/03/2022 10:00

Skautët e klubeve më të mëdha europiane janë gjithnjë në punë për të sigurua talentet e së ardhmes, teksa një lojtar nga i cili pritet shumë dhe që ngjason me Jack Grealish është norvegjezi, Andreas Schjelderup.

Fantazisti 17-vjeçar ka bërë prova në disa prej klubeve më me emër në Europë si Ajax, Juventus apo Bayern Munich, por peng i ka mbetur oferta nga Liverpool. Aktualisht, talenti ka zgjedhur një vend më të përshtatshëm për t’u rritur dhe për të marrë minutat e duhura për t’u rritur teksa ka firmosur për danezët e Nordsjaelland. Këta të fundit e kanë transferuar nga Bodo/Glimt në vitin 2020, ndërsa deri më tani ka regjistruar 36 paraqitje me danezët duke u shndërruar në një nga lojtarët më me eksperiencë ndërmjet moshatarëve të tij.

Në një intervistë të fundit, Schjelderup theksoi se i “dhemb” fakti që nuk iu bashkua Liverpool-it, por mendon se është më mirë se sa të aktivizohej me të rinjtë e klubeve të mëdha europiane.

“Ishte pak e vështirë dhe e dhimbshme të refuzosh Liverpool sepse kur rritesh t’i i shikon ata lojtarë në televizion dhe në momentin që ai klub të bën ofertë, atëherë fillon edhe ëndërron. Por, babai dhe agjenti im më ndihmuan të bëj zgjedhjen e duhur. Edhe babait tim i dhemb fakti që nuk shkova te Liverpool, mirëpo bëhej fjalë për t’u aktivizuar me të rinjtë e atij klubi.

Sigurisht në të ardhmen mund të luaj në një klub të madh, por për momentin Nordsjaelland ishte hapi i duhur. Kur të jem gati, do të bëj hapin e radhës. Krahasimi me Grealish? Është një lojtar i madh dhe shoh ngjashmëri në stilin e lojës. Jam një lojtar ofensiv ashtu si Grealish dhe më pëlqen ta kem topin në zotërim dhe e kuptoj pse bëhet krahasimi me të. Objektivi im është të shënoj më shumë, po ashtu edhe të asistoj në mënyrë që të përmbushim synimet e skuadrës”, u shpreh 17-vjeçari.

Top Channel