Laporta komenton mbi Mbappe: Te Barcelona nuk flasim për emra pasi iu rrisim vlerën në merkato

25/03/2022 22:44

Edhe pse duket një fakt i kryer transferimi i Kylian Mbappe sezonin e ardhshëm te Real Madrid me parametër zero, sërish në merkato nuk mund të ndihesh plotësisht i sigurt.

Me siguri këtë ndjesi kanë tashmë te Real Madrid pas zërave të fundit se Barcelona po interesohet për sulmuesin e PSG, ndërsa pretendojnë se përsa kohë 23-vjeçari nuk ka hedhur firmën në kontratë me Los Blancos, atëherë mund të negociojnë me lojtarin në fjalë.

Së fundmi, presidenti Joan Laporta i pyetur mbi interesimin për Kylian Mbappe, por edhe Erling Haaland ka theksuar se te Barcelona nuk e kanë për zakon të flasin mbi emrat e merkatos, pasi në këtë formë vetëm sa rrisin vlerën e futbollistëve.

“Të gjithë janë të lirë të shprehen, megjithatë nuk ka asgjë të pazakontë që klubet e mëdha të jenë të interesuar për lojtarë të mëdhenj. Por, unë nuk mund të flas për emra konkretë sepse nëse flasim për një lojtar që kemi interes ta transferojmë, atëherë automatikisht rrisim vlerën e tij në treg.

Kështu, edhe në rastin e Mbappe nuk dua të komentoj sepse nuk dua të paragjykoj interesat e klubit. Drejtuesit teknikë dhe sportiv po punojnë për t’u përmirësuar. Por, dua të kuptohemi se ne kërkojmë lojtarë që i japin përparësi ekipit dhe jo atyre që kërkojnë të jenë mbi skuadrën”, u shpreh Laporta.

Top Channel