Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha këtë të mërkurë se dëshiron që të ruhet paqja në Kosovë dhe se do t’i ofrojë gjithmonë mbështetje popullit serb në Kosovë.

Sipas tij, përfaqësuesit e QUINT-it i kanë thënë se kanë bërë maksimumin, por se nuk kanë arritur ta bindin Kurtin që të organizohen zgjedhjet serbe në Kosovë.

Sipas presidentit serb, ata duan ta fusin Serbinë në konflikt duke thënë se “jemi shërbëtorë të rusëve, zbatues të urdhrave të tyre në Ballkan”.

Vuçiç tha për TV Pink, një ditë pas takimit me përfaqësuesit e partive politike serbe në Kosovë, takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë dhe takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë se synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

“Dua të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të jem seriozë, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, të mendojmë se çfarë të bëjmë nesër”, tha Vuçiç.

 “Nuk ka nevojë t’i bëj lajka njerëzve tanë duke treguar atë që ua kam thënë në fytyrë [ambasadorëve të QUINT-it] për këtë, kjo nuk do të ndryshojë gjendjen tonë”, sipas tij.

Ai tha se duhet të gjenden zgjidhje të caktuara duke mos rrezikuar mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“A do të organizojnë autobusë, apo do të organizojnë një votim simbolik apo ndonjë votim tjetër, apo do të arrijë QUINT-i të sigurojë votimin [në Kosovë]… ne po kërkojmë zgjidhje, po presim të shohim”, tha Vuçiç.

Ai thekson se thelbi është të ruhet populli serb në Kosovë dhe se ky është resursi më i rëndësishëm për të ardhmen.

“Do të luftojmë për të gjetur një lloj zgjidhjeje, por mendoj se do të jetë e vështirë të ndalojmë serbët që të largohen nga institucionet [e Kosovë] në të ardhmen”, tha presidenti, duke shtuar se komandantët e policisë dhe stacioneve ishin të pranishëm në bisedime të martën dhe se të gjithë donin të dilnin.

Vuçiç vlerësoi se me refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Albin Kurti synon të shkaktojë destabilizim dhe probleme në rajon.

 “E jona është të mos biem në atë kurth, sidomos në këtë moment”, sipas tij.

Ai tha se Beogradi ka pranuar shumë kompromise gjatë negociatave me Prishtinën për zgjedhjet, “madje zyrtari ndërlidhës i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, por nuk është pranuar që Qeveria e Serbisë t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës”, sepse kjo do të ishte de facto njohje [e Kosovës].

Vuçiqi vlerëson se në vendet më të zhvilluara perëndimore tashmë e kuptojnë pamëshirshmërinë e moslejimit të praktikave të mira demokratike dhe tha se do ta shohim sot deklaratën e tyre, e cila do të jetë shumë e rëndësishme.

“Kurthi është se ata po përpiqen të na tërheqin në konflikt, duke thënë se ne jemi shërbëtorë të rusëve, zbatues të urdhrave të tyre në Ballkan. Sot, shtypi kroat thotë se Brukseli e ka kuptuar lojën serbe në Bosnjë e Hercegovinë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti ka përsëritur të martën se zgjedhjet serbe të tre prillit mund të mbahen edhe në Kosovë vetëm nëse paraprakisht do të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

“Zgjedhjet serbe në Kosovë do të jetë e mundshme vetëm pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë zgjedhje të një shteti tjetër, jo të Kosovës”, tha Kurti në RTK.

Ndërsa Vuçiç tha të martën në një konferencë shtypi se serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat e Serbisë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe.

Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

Presidenti i Serbisë shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA