Yarmolenko flet si kapiten: Ukraina direkt në Katar 2022? Jo, ta meritojmë në fushë

22/03/2022 22:30

Andriy Yarmolenko e ka të vështirë të flasë për futboll teksa Ukraina po përballet me pushtimin e egër rus. Kombëtarja ukrainase është pjesë e fazës “play-off” të Botërorit Katar 2022.

Rivali në gjysmëfinale është Skocia, ndërsa finalisti tjetër do të dalë nga çifti Uells-Austri. Takimi me Skocinë është shtyrë për në qershor, teksa sulmuesi i West Ham është kundër idesë që flitet për kualifikimin e Ukrainës në Botërorin e këtij viti.

“Tani është e vështirë të flasim për futboll, por kur të vijë momenti të luajmë ndaj Skocisë ne do të zbresim në fushë për të vendosur të gjithë forcën që kemi në trupat tanë.

Do të jetë e vështirë të japim 100%, pasi shumë djem nuk po luajnë dhe nuk po stërviten në Ukrainë. Disa prej tyre ndodhen me mitraloza në duar, të tjerë po shpërndajnë ndihma humanitare.

Askush nuk e ka mendjen te futbolli, por do të japim maksimumin kur të vijë momenti. Kam lexuar diku se duan të na kualifikojnë direkt në Botëror, por unë mendoj se është e gabuar.

Kemi duar dhe këmbë për të luajtur në fushën e futbollit. Na ndihmoni të ndalojmë këtë luftë dhe ne do të zbresim në fushë. Në Katar të shkojë kush ta meritojë”, theksoi sulmuesi i West Ham dhe kapiteni i Ukrainës.

Top Channel