E morën nga skuadra e refugjatëve dhe i dhuruan një mundësi, 18-vjeçari ia shpërblen me tre pikë

21/03/2022 21:14

Kalvari nga i cili kalon një futbollist për të mbërritur në nivelet profesioniste është gjithnjë i ndryshëm për secilin, pasi dikush është më i “përkëdhelur” nga fati se pjesa tjetër.

Dhe, Moustapha Cisse për t’u bërë i njohur i është dashur të kalojë nëpërmjet shumë vështirësive. I mbërritur si emigrant nga Afrika në Itali në vitin 2019, 18-vjeçari fillimisht u bë pjesë e një skuadre nga Leçe e njohur si Rilindja e Refugjatëve dhe që bënte pjesë në kategorinë e tetë italiane, sigurisht e nivelit amator.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në inferiore nuk ka talente teksa skautët e Atalantës ishin mjaftueshëm të zotë për të kuptuar cilësitë e djaloshit nga Guinea. Në këtë formë, muajin e kaluar, bergamaskët i dhuruan një kontratë profesionisti dhe e angazhuan në ekipin e parë. Kështu, Cisse së bashku me Gjimshitin dhe yjet e tjerë të Atalantës nisi të stërvitej si kurrë më parë për të shpërblyer besimin e klubit.

Të dielën, Atalanta kishte një numër të lartë mungesash dhe në minutën e 65 të sfidës ndaj Bolognas në transfertë, trajneri Gian Piero Gasperini vendos të nxjerrë nga loja Muriel dhe të aktivizojë pikërisht Cisse që e shfrytëzoi në maksimum mundësinë e tij. 17 minuta më pas, lojtari afrikan gjen golin në debutim me Atalantën dhe i fal tre pikë të arta skuadrës që lufton për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.

Asistenti i Gasperinit, Tulio Gritti thekson se Cisse është një djalosh shembullor dhe kërkon të mësojë gjithnjë e më shumë. “Duke lënë mënjanë cilësitë e tij teknike, Cisse është një djalosh i jashtëzakonshëm. Është shumë i sjellshëm dhe i dedikohet shumë stërvitjes, është shumë i edukuar edhe pse jeta nuk ka qenë e lehtë për të ndërsa emigroi në Itali pas vdekjes së babait. Gjithnjë kërkon të mësojë shumë dhe në ndeshjen e fundit shënoi si një kampion i vërtetë”, u shpreh Gritti. Një histori si në filma për 18-vjeçarin që tashmë kërkon të vijojë në këtë rrugë dhe të shndërrohet në një fenomen të futbollit italian.

Top Channel