Tirana fiton Derbin/ Egnatia, Vllaznia 3-0, Kastrioti mund Partizanin

19/03/2022 20:03

Tirana e mund sërish Dinamon në ndeshjen Derbi në Abissnet Superiore.

Skuadra bardhe blu iu imponua skuadrës së Vanolit  me rezultatin 1-0 duke ia hidhëruar debutimin trajnerit italian, ndërkohë që ata vetë qëndrojnë të qetë në krye të klasifikimit. Dinamo u paraqit mirë në pjesën e parë ku pa t’i anulohej edhe 1 gol, gol të cilin e shënoi Tirana në pjesën e dytë me Devid pas një asisti të Xhixhës.

Gjithsesi Dinamos iu dha shansi më i mirë për të shënuar 3 minuta nga fundi kur fitoi një 11 metërsh por Ibraimi u hipnotizua nga Bekaj me portierin e Tiranës që e priti gjuajtjen e tij. Në fund sfida u mbyll 1-0 për Tiranën që shton telashet për Dinamon që mbetet në vendin e parafundit në klasifikim.

Partizani dhe Vllaznia zhgënjyen në ndeshjet e tyre te radhës teksa humbën ndeshjet e tyre respektive me Kastriotin dhe Egnatia, dy ekipe që luftojnë për mbijetesë. Në stadiumin e Kamzës, skuadra krutane iu imponua të kuqve 1-0 duke iu shkaktuar humbjen e 7 sezonale duke marrë 3 pikë të çmuara që e mbajnë në vendin e 7 në klasifikim.

ishte një ndeshje që pati edhe momente tensioni teksa Stenio Junior pati përplasje me futbollistë të Kastriotit duke i akuzuar edhe për fyerje raciste.

Pjesa e parë u mbyll 0-0 me skuadrat që rivalizuan në lojën e tyre. Në pjesën e dytë Partizani pati shansin e artë teksa iu akordua një 11 metërsh nga arbitri Alla pasi u konsultua me sistemin VAR, por Kallaku gaboi nga pika e bardhë duke e dërguar topin jashtë. ai që nuk gaboi në këtë ndeshje ishte Kaina për Kastriotin që 10 minuta nga fundi i ndeshjes i dha fitoren skuadrës së tij.

Ndërsa Vllaznia pa Thomas Brdaric u mund pastër nga Egnatia në Rrogozhinë me rezultatin 3-0. Njeriu i sfidës u bë pikërisht Pedro Augusto autori i të 3 golave për Egnatian. Rezultati u zhbllokua në minutën e 31, kur goli i Pedros u cilësua i rregullt pasi u verifikua në sistemin VAR.

Në pjesën e dytë Heric la Vllazninë në inferioritet numerik duke u ndëshkuar me karton të kuq gjë që ia lehtësoi gjërat Egnatias që shënoi edhe 2 herë të tjera po me Pedro Auguston në minutat 79 dhe 87 për të fiksuar rezultatin 3-0. Java e 26 do të mbyllet me ndeshjet Laci-Teuta dhe Skënderbeu Kukësi që do të luhen këtë të diel dhe që do të transmetohen në platformën Digitalb.

Top Channel