“Krim ekonomik”, protestë kundër rritjes së çmimeve në Durrës: Qeveria të ndërhyjë!

18/03/2022 18:06

Një grup qytetarësh protestuan pasditen e sotme, në Durrës, kundër ngritjes të çmimeve të produkteve ushqimore.

Protestuesit u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit para bashkisë dhe kërkuan ndërhyrjen e qeverisë për t’i dhënë fund spekulimeve, siç thonë ata, ngritjes së vazhdueshme të çmimeve nga ana e tregtarëve të produkteve ushqimore dhe bukës.

Dy javët e fundit çmimet e bukës dhe produkteve të shportës ushqimore janë rritur nga 20-50 përqind.

“E quaj krim ekonomik këtë që po bëjnë! E gjithë bota po merr masa, ku është qeveria jonë? Duhet të marrin masa. Shoqëria është në depresion për këtë që po ndodh. Nuk dinë çfarë t’i thonë familjes në darkë”, shprehet një nga protestuesit.

Ndërkohë, të shtunën është lajmëruar protesta kombëtare përpara godinës së kryeministrisë.

Organizatorët e protestave, sot prezantuan dhe kërkesat që lidhen me heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës. Si afat të fundit për plotësimin e tyre kanë lënë 19 marsin.

Masat nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesat tona  mbështeten ne tre shtylla kryesore: Ulje e barrës Fiskale, Hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim te tregut dhe mbështetje per biznesin dhe shtresat vulnerabël”, thotë një nga organizatoret.

Të shtunën në orës 11:00 do të nisë marshimi nga sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga qytete të ndryshme. Në rast të mosplotësimit të kërkesave, organizatorët paralajmëruan  përshkallëzim të protestave.

Prej disa ditësh në vend janë zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës ndërsa qeveria ka prezantuar paketën e Rezistencës Sociale për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA