Të vetme, Maria Kudyrko dhe Yulia Obodovska morën rrugën e tyre të largimit nga vendlindja.
Dy ukrainaset bashkë me tre fëmijët e tyre lanë gjithë familjen në Ukrainë, për të gjetur strehim tek kushërira e tyre në Kosovë, Jana Zhdrella.
Rruga e largimit për to qe e gjatë, por qe e paevitueshme për shkak të luftës me të cilën përballet vendi i tyre.
“Rrugës kur jemi nisur nga shtëpia, kemi dëgjuar alarmet që njoftojnë për bombardimet. Por, nuk e dinim se ku do të qëllojë raketa. Prej qytetit tonë, Vinnitsa deri në Moldavi kemi arrit shumë shpejt, por në kufi kemi pritë shumë gjatë. Katër ditë kemi udhëtuar e çdo natë kemi fjetur në një shtet tjetër. Kemi kaluar nëpër Moldavi, Rumani, Bullgari, Maqedoni e kemi arrit në Kosovë”, thotë Maria Kudyrko.
Tashmë thonë që janë rehat në Kosovë, por që mendjen e lutjet i kanë të drejtuara për familjarët që lanë prapa dhe Ukrainën, ku edhe shpresojnë të kthehen sa më shpejt.
“Unë çdo moment mendoj të nisem e të kthehem në shtëpi, me djalin tim. Të kthehemi në shtëpi, të shohim familjen që ka mbetur atje, shtëpinë, rrugën, të jetojmë jetën si kemi jetuar deri tani”, thotë Yulia Obodovska.
Për to, frika se një ditë nuk do të lajmërohen familjarët e tyre, është gjithmonë prezente.
“Ne mundohemi të flasim sa më shpesh me ta. Çdo orë ose çdo dy-tre orë, mundohemi të flasim me ta, ta dimë si janë, por çdo herë mendoj se nuk do të ma hapin telefonin”, shprehet Yulia Obodovska.
Tre fëmijët tashmë kanë filluar socializmin e tyre me fëmijët e tjerë në Kosovë. Ata që nga dita e marte shkojnë në një prej qendrave edukative në Prishtinë, ku kryejnë edhe aktivitete të ndryshme.
Të enjten, Kosova ka regjistruar pesë refugjatët e parë ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të invazionit rus ndaj Ukrainës.
Top Channel