Cr7 me makinë të re në stërvitje, garazhi i tij me vlerë 20 milionë euro

15/03/2022 21:41

Cristiano Ronaldo mori si dhuratë nga partnerja e tij, Georgina Rodriguez, me rastin e 37-vjetorit të lindjes, një Cadillac Escalade me vlerë 180,000 euro.

Një “shpenzim i vogël” nga Georgina e tij, që e njeh mirë pasionin e portugezit për makinat.

Kur ka diçka për të festuar, duket se është traditë, në këtë familje, të shkosh të blesh një makinë të re. Pikërisht kjo ka ndodhur ditët e fundit pas tregolëshit që i dha fitoren Manchester United përballë Tottenhamit. Sulmuesi i “Djajve të Kuq” e shpërbleu veten me një Aston Martin DBS me vlerë gati 240 mijë euro, me të cilën shkoi në stërvitje.

Ronaldo mes Ferrarit, Bugattit dhe Bentley-t

Aston Martin DBS ka një motor V12 që gjeneron 715 kuaj fuqi, shpejtësi maksimale prej gati 340 km/h dhe përshpejtim nga 0 në 100 km/h në 3.4 sekonda.

Një makinë luksoze, ashtu siç i pëlqen Ronaldos, i cili mburret me garazhin e tij. Para dy blerjeve të fundit, Cristiano Ronaldo mori një Bentley Flying Spur për gati 300 mijë euro. Por koleksioni i tij shumë i pasur përfshin dy Bugatti, Veyron dhe Chiron, me vlerë 2.5 milionë e 2 milionë euro, një McLaren Senna e rrallë për pak më shumë se 1 milionë euro. Një Ferrari F12 TDF dhe një Ferrari Monza SP2 janë shtuar gjithashtu në listë. Ndërkohë, vlera e garazhit të tij po rritet muaj pas muaji: ka arritur deri tani mbi 20 milionë euro!

Top Channel