Gara e Tiranës/ Çiklistët garojnë nga 42 km deri në 90 km, shpallen fituesit

12/03/2022 15:33

Sporti i çiklizmit ka filluar aktivitetet e tij zyrtare mëngjesin e së shtunës me Turin e Tiranës, një garë e cila e rikthen këtë sport në normalitet pas dy viteve me aktivitete të cunguara për shkak edhe të pandemisë.

Presdidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku tregon më tepër rreth këtij aktiviteti.

Skënder Anxhaku:  Ky aktivitet ka të bëjë më tepër me masivizimin e këtij sporti por edhe për të parë gjendjen e sportistëve se ku janë përpara garave të rëndësishme ndërkombëtare që do të kemi muajt e ardhshëm në kampionatin europian, botëror apo ballkaniadën.

Sipas kryekomisarit të garës Aben Pinari, kjo garë është e një shkalle të vështirësisë së mesme, por në të do të marrin pjesë tre kategori  me distanca të ndryshme që variojnë nga 42 km për të rinjtë deri në 90 km për të rriturit.

Arben Pinari: Marrin pjesë të gjitha skuadrat kryesore të Shqipërisë si Tirana, Partizanit, Skëndebeu, Teuta. Grupmoshat janë nga kadetët, të rinjtë dhe të rriturit.

Gara pati startin e saj nga Liqeni i Tiranës e më pas vazhdoi deri në Bradashesh të Elbasanit për të mbyllur gjithçka në kalanë e Petrelës.

Në përfundim të garës Erdi Pilku i ekipit të Tiranës mbylli garën i pari në kategorinë e kadetëve, ku 42 km i përshkoi për 1h18m, për të rinj Henri Hysa i Teutës i cili distancën 74 km e zhvilloi për 2h e 21m ndërsa për të rritur i pari në finishin e Petrelës arriti Kristel Sota i Apollonisë së FIerit, me kohën 2h e 47m.

 

Top Channel