Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, nën hetim për skandalin e tenderit të uniformave është liruar nga burgu këtë të enjte.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dha në dhjetor masën për dhjetë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të akuzuar për tenderin e uniformave.
Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari u dënua me një vit burg bashkë me Flutura Çekrezin, ndërsa me nga 10 muaj u dënuan Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri dhe Maringlen Buzali.
Janë liruar me kusht Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Klevis Hasani dhe Gëzim Mingaj.
Gjykata vendosi që shtetasi Klevis Hasani është i detyruar të kryejë 80 orë punë në interes publik dhe kjo punë duhet kryer brenda afatit prej 6 muajsh që nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.
Këta persona e kanë të pamundur për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.
Dhjetë zyrtarët u arrestuan për abuzime me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit, të cilët u akuzuan për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Abuzimet me tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme janë konstatuar në raport me cilësinë, sasinë dhe çmimin e uniformave.
Si pjesë e hetimeve për zbulimin e kësaj afere korruptive, rezulton se në ndihmë të SPAK-ut janë dy persona të cilët pranuan të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Një nga dëshmitë është edhe për bashkimin e dy tenderëve atë të prodhimit dhe shpërndarjes së këpucëve, me atë të veshjeve, ç’ka e ka kufizuar mundësinë për të marrë pjesë më shumë se një kompani në garë.
Tenderi i uniformave është dhënë në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Sandër Lleshaj, ndërsa abuzimi është kallëzuar në SPAK nga ish-deputeti Myslim Murrizi në vitin 2020.
Top Channel