Rekord në Champions, Benzema: Real madhështor, nuk bëra faull te Donnarumma

10/03/2022 09:15

Real Madrid kompletoi një përmbysje fantastike përballë PSG-së, fitoi 2-1 takimin e dytë dhe siguroi një kualifikim drithërues në çerekfinalet e Champions League pas rezultatit të përgjithshëm 3-2.

Karim Benzema shënoi tre gola brenda 17 minutave, duke u bërë futbollisti më i vjetër që realizon tregolësh në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në moshën 34 vjeç e 80 ditë.

Kapiteni i Real Madrid foli për RMC pas ndeshjes në lidhje me fitoren, golat, kualifikimin, Kylian Mbappe dhe kontaktin me Gigio Donnarumma te goli i parë. “Në ndeshjen e parë nuk ndiheshim mirë, ndërsa ishim një tjetër Real në takimin e kthimit.

Bëmë presing dhe shtymë më shumë. Treguam që jemi një skuadër e madhe, ashtu si edhe PSG, dhe se e meritojmë kalimin në çerekfinale. Ne u përballëm me lojtarë të nivelit botëror, por ata nuk ishin të suksesshëm edhe sepse nuk arritën të shënonin më shumë se një gol në ndeshjen e pare.

Mbappe? Ai është i zhgënjyer, donte të shkëlqente dhe zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme duke shënuar edhe gol në pjesën e parë. Faull te Donnarumma? Jo, aspak. Ai e humbi vetë topin”, deklaroi sulmuesi francez.

Me golat e shënuar kundër PSG-së, Benzema kaloi Di Stefanon dhe me 309 gola renditet në vendin e tretë të golashënuesve më të mirë të historisë së “Los Blancos” pas Cristiano Ronaldos (451) dhe Raul Gonzalez (323).

Top Channel