Nuk pranoi të vaksinohej/ Gjokoviç nuk do marrë pjesë në turnetë e tenisit në SHBA

10/03/2022 14:42

Tenisti serb Novak Gjokoviç ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në turneun Indian Wells dhe Miami, planifikuar për t’u mbajtur në javët e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjokoviç, shpjegoi se ai kishte hequr dorë për shkak të ndalimit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara për ata persona që nuk ishin vaksinuar kundër koronavirusit.

Në muajin janar, mes shumë debatesh ai u përjashtua nga turneu prestigjioz Austrlian Open, por edhe u detyrua gjithashtu të largohet nga Australia pikërisht se nuk ishte vaksinuar kundër koronavirusit.

Gjokoviç, fillimisht paraqiti një certifikatë mjekësore që e përjashtonte nga vaksinimi, por më pas u shfaqën parregullsi në dokumentacion, derisa autoritetet australiane vendosën ta largonin nga vendi.

Indian Wells dhe Miami janë dy turnetë e para të sezonit të qarkut “Masters 1000”, më i rëndësishmi pas katërshit të “Grand Slam”. Organizatorët e kishin përfshirë Gjokoviç në mesin e lojtarëve, por që të luajë, tenisti serb duhet të pajiset me një certifikatë përjashtimi nga vaksinimi dhe që duhet të merret në Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC).

Megjithatë, përjashtimi i tij nuk u dha dhe Gjokoviç u detyrua të tërhiqej. Vendin e tij do ta zërë bullgari, Grigor Dimitrov.

 

Top Channel