Në sektorin e medias në vendin tonë punojnë 5700 persona. Gjatë dy viteve të pandemisë humbën jetën 19 punonjës, 11 prej tyre gazetarë.
Që nga 5 tetori i vitit të shkuar gazetarisë sportive dhe jo vetëm asaj, do t’i mungojë gazetari dhe komentatori i njohur Kosta Grillo, që ndërroi jetë për shkak të Covidit, në moshën 59 vjeçare.
Tami Kona: Është një njeri që do t’i mungojë si transmetimit dhe do të na mungojë mënyra se si i jepte jetë komentimit të një ndeshje sportive. Punoja me të që nga viti ‘92-‘93, ne kemi qenë pothuajse të pandarë, pra për gati 3 dekada. Nuk kemi lënë vend pa shkuar bashkë, kemi parë bashkë mbi 10 finale të evenimentit më të lartë siç është Champions League.
Nuk kemi lënë ndeshje të ekipit kombëtar pa shkuar. Të bësh analizën sportive të një ndeshje, të flasësh për Tiranën, Partizanin, ndoshta është e lehtë, por qenka shumë e vështirë të flasësh për një njeri, me të cilin e filloje dhe e mbaroje ditën. Kjo, sepse e ndjej shumë humbjen e atij, më mungon shumë. Sigurisht që humbjen e Kostës më shumë e ndjen gruaja dhe 2 fëmijët e tij. Ai kishte shumë miq, por unë me Kostën ishim më shumë se shok, ishim vëllezër.
Gazetari shkodran Lek Plani, këndonte ndërsa ishte në intubim, si për t’i dhënë shpresë vetes e të tjerëve, por fatkeqësisht e humbi betejën për jetën.
Top Channel