Një korridor evakuimi nga qyteti i Sumy, në verilindje të Ukrainës do të qëndrojë në funksion të mërkurën, tha guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytskyy në një postim në mediat sociale.

“Miq! Ekipi negociator punoi gjithë natën dhe ata e zgjeruan operacionin e korridorit humanitar nga Sumy në Poltava sot”, tha Zhyvytskyy herët të mërkurën, duke shtuar se korridori do të jetë i hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në 21:00 me orën lokale.

Njerëzit do të mund të udhëtojnë me automjetet e tyre personale, shtoi ai. Gjithashtu, 22 autobusë të përdorur gjatë evakuimit të së martës do të kthehen në qytet nga qyteti qendror i Poltava për të ndihmuar evakuimet nga rreth orës 14:00 sipas kohës lokale, tha ai.

“Janë të njëjtët autobusë që kishim dje për kolonën e parë të transportit. Ato do të përdoren për transportin e grave shtatzëna, grave me fëmijë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”, shtoi ai.

Korridori u mundësoi rreth 5,000 civilëve të evakuonin qytetin të martën, sipas nënkryetarit të zyrës presidenciale ukrainase Kirill Timoshenko.

Sumy është përballur me sulme të rënda nga forcat ruse në ditët e fundit, me shumicën e popullsisë së saj të shkëputur nga pjesa tjetër e Ukrainës. Një sulm ajror gjatë natës në qytet të hënën vrau të paktën 21 civilë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA