Erdogan: Turqia kundërshton “gjuetinë e shtrigave” kundër Rusisë dhe kulturës ruse

09/03/2022 16:36

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan sot kundërshtoi fuqishëm çdo lëvizje që i ngjan “gjuetisë së shtrigave” kundër popullit, artit, studiuesve ose artistëve rusë, raporton agjencia shtetërore turke Anadolu.

Ai shtoi se kundër Rusisë po përdoren “taktika fashiste diskriminimi, që mund të lënë në hije dhe vetë luftën legjitime të Ukrainës”.

“Ashtu siç nuk do të braktisim Ukrainën, ne gjithashtu nuk pranojmë veprime të ngjashme të një ‘gjuetie shtrigash’ kundër popullit, letërsisë, studentëve ose artistëve rusë”, deklaroi presidenti Erdoğan para grupit parlamentar të Partisë së tij ‘Drejtësi dhe Zhvillim’ (AK).

Duke përmendur rastin e shkarkimit të dirigjentit rus nga Filarmonia e Mynihut të Gjermanisë për shkak se mbështeti presidentin Putin, Erdoğan tha se “praktika të tilla fashiste” hedhin një hije mbi “luftën legjitime” të Ukrainës për t’i rezistuar trupave ruse, madje nxisin një “klimë urrejtjeje dhe mërish të cilat mbjellin të reja pakënaqësi”.

Presidenti turk kritikoi gjithashtu organizatat ndërkombëtare për “dështimin e marrjes së veprimit rreth zonave të luftës, veçanërisht Këshillin e Sigurimit të OKB”.

Erdoğan ka fajësuar prej kohësh pafuqinë e OKB-së përballë problemeve globale dhe ka mbështetur një Këshill të Sigurimit më gjithëpërfshirës.

Lidhur me refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, mes raporteve që disa refugjatë afrikanë dhe aziatikë janë frenuar, Erdoğan tha se një mentalitet që diskriminon të shtypurit bazuar në fenë e tyre, origjinën kombëtare ose ngjyrën e lëkurës nuk ka të bëjë fare me njerëzimin apo qytetërimin.

Ankaraja tha se nuk i diskriminon kurrë ata që ikin nga lufta dhe persekutimi sipas gjuhës, fesë apo ngjyrës së lëkurës së tyre, tha ai.

Turqia nderkohe ka strehuar mbi 4 milionë refugjatë, shumica e të cilëve nga Siria e shkatërruar nga lufta, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Pas dakordimit të takimit që do të mbahet këtë javë midis ministrave të Jashtëm të Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë në qytetin turistik jugor të Turqisë, Antalya, Erdoğan përmendi përpjekjet e fuqishme diplomatike të Turqisë për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se shpresonte se takimi, i caktuar për t’u mbajtur në prag të Forumit treditor të Diplomacisë në Antalya, do të “hapte derën” për një armëpushim të përhershëm në Ukrainë./AA/

 

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA