E ardhmja e Ronaldos në pikëpyetje, në krahun tjetër e pret Messi

08/03/2022 16:14

Largimi i Cristiano Ronaldos nga Manchester United tani është një mundësi reale.

Portugezi nuk është më i lumtur tek “Djajtë e kuq” dhe në verë mund të marrë valixhet për t’u transferuar në një tjetër skuadër. Raportet me trajnerin Ralf Ragnick dihet që janë të tensionuara, me sulmuesin i cili nuk ishte as në stadium në ndeshjen e fundit të United me Manchester Cityn.

Edhe pse lojtari është bashkuar në stërvitje, mediat angleze raportojnë se vazhdimësia e tij në “Old Traford” lidhet me trajnerin që do të pasojë Ragnick, por në anën tjetër dhe me pjesëmarrjen në Champions League ose jo edicionin e ardhshëm. Nëse skuadra nuk renditet në një nga katër vendet e para atëherë me shumë gjasa Ronaldo do të largohet nga Premier League.

Destinacioni  i ardhshëm mund të jetë Franca, aty ku mund të bashkohet me PSG, e ku do të gjente rivalin e tij më të madh, Leo Mesin. Edhe pse diçka që në të shkuarën është konsideruar e pamundur tashmë është një mundësi reale që Ronaldo dhe Messi të luajnë në të njëjtën skuadër, pavarësisht se tashmë bëhet fjalë për dy lojtarë që kanë shumë vite mbi supe dhe po luajnë sezonet e tyre të fundit në nivele të larta.

Një tjetër opsion është rikthimi tek Sporting Lisbona, skuadër ku Ronaldo ka nisur karrierën e tij, por gjithçka do të vendoset në varësi të ecurisë së skuadrës. Pjesëmarrja në Champions sezonin e ardhshëm dhe një trajner i cili do të jetë i preferuar nga Ronaldo mund ta bindin për të qëndruar së paku dhe një vit tjetër në “Old Traford”.

Top Channel