Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre.
PD pretendon se komisionerët e PS dhe LSI kanë penguar procesin e zgjedhjeve.
“Pas shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Ankimeve dhe sanksioneve, Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, duke minuar procesin zgjedhor në këtë bashki”, thuhet në njoftimin e PD.
Më parë, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku të shtunën deklaroi se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bashkuar votat për të larguar nga një KZAZ komisionerët e Partisë Demokratike.
Në fjalën e saj për mediat, Tabaku theksoi se me një vendim të paprecedentë, tre anëtarë të PS-së, bashkuan votën me anëtarët e LSI-së, duke refuzuar të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve të marrë gjatë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD-së dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit, të marrë në orën 02:00 të mëngjesit.
“Ndërkohë që flasim në qendrat e votimit janë emëruar 22 sekretarët të cilët i përkasin PD dhe akoma nuk ka një vendim për kryetarët të cilët i përkasin po PD në 22 qendrat e tjera. Të gjithë përfaqësuesit e PD janë nëpër komisione si vëzhgues por nuk janë duke kryer rolin e tyre si kryetar. Unë iu bëj thirrje subjekteve politike të kalojnë përtej porosive partiake dhe politike, përtej atyre që i urdhërojnë me telefon dhe me mesazhe dhe të zbatojnë vendimin e Komisionerit të Zgjedhjeve dhe vendimin natën vonë mbrëmë të KAS-it”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se të gjithë përfaqësuesit e PD-së janë nëpër komisione.
“Unë që në orën 07.00 të mëngjesit kam lëvizur në pjesën më të madhe të qendrave dhe kam vënë re që ashtu siç e deklarova përfaqësuesit e PS me përfaqësuesit e LSI nëpër komisione kanë refuzuar që të zbatojnë këtë vendim. I kërkoj të gjithë qytetarëve të Vorës, i kërkoj të gjithëe qytetarëve të Marqinetit, të Gërdecit, Marikaj, Muçajt, Fushë Prezë dhe të gjithë zonave përreth në bashkinë Vorë dhë të vijnë dhe të votojnë masivisht për subjektin Partia Demokratike”, tha nënkryetarja e PD-së.
Tabaku deklaroi, duke iu drejtuar medias, siç e shikoni në fletën e votimit ka vetëm një subjekt që e përfaqëson opozitën shqiptarë dhe që sipas saj është Partia Demokratike, subjektet e tjera, shton ajo janë bashkuar kundër PD-së.
Top Channel