Ndeshja e 400-të në karrierë, Daja udhëheq Ballkanin drejt titullit kampion

06/03/2022 21:41

Skuadra e Ballkanit, e cila drejtohet nga trajneri Ilir Daja, ka marrë kryesimin e BKT Superligës, pas fitores 1-0 ndaj Llapit këtë të diel.

 

Pjesa e parë e takimit u mbyll me barazim pa gola, teksa në minutën e 73’ Krasniqi shënoi golin e vetëm dhe të fitores për vendasit. Kjo ndeshje, që i dha dhe kreun e elitës së futbollit të Kosovës ekipit të Ballkanit është edhe e 400-ta në karrierë si trajner e Ilir Dajës, që nga viti 2004.

Së bashku me ekipin nga Suhareka, Daja numëron drejtimin e plot 12 skuadrave, me të cilat sot ka arritur kuotën e 400 ndeshjeve, nga këto takime ai ka fituar 199 prej tyre, ka barazuar 102 ndeshje dhe ka humbur 99 takime.

Sezoni 2017-2018, kur kishte drejtimin e Skënderbeut, ka qenë një ndër më të suksesshmit për trajnerin Daja, pasi në atë sezon ka fituar Superligën dhe Kupën e Shqipërisë.

Ndërsa tashmë, pas largimit nga klubi i Partizanit, Daja mori drejtimin e Ballkanit, me të cilin është duke pasur një ecuri shumë pozitive dhe që nga ai moment kryesuesit e BKT Superligës njohin vetëm fitore.

Top Channel