Sulmohen gazetarët në Kiev/ Qëllohen duke raportuar për Sky News, vazhduan të filmonin

05/03/2022 12:48

Të gjitha luftërat e deritanishme në botë nuk i  kanë kursyer jetët e gazetarëve.  Nuk bën përjashtim kjo më e fundit në Ukrainë.

Një ekip i  televizionit britanik Sky News është gjetur nën breshërinë e plumbave rus.

Mbeti i plagosur gazetari Stuart Ramsay dhe kameramani.

Megjithëse nën breshërinë e armëve, nuk e fikën kamerën e cila fiksoi sulmin që mund ti kishte kushtuar jetën të gjithë ekipit prej 5 vetash, të Sky News.

Ky është momenti  kur ata u sulmuan.

Gazetari veteran i Sky News Stuart Ramsay tregon se ishin duke udhëtuar drejt qytetit  Bucha, ku një autokolonë e ushtrisë ruse ishte shkatërruar nga forcat ukrainase.  Një burim i besuar thotë gazetari anglez na tha se në Bucha ishte qetë dhe na premtoi të na tregonte autokolonën ruse të shkatërruar.

Megjithëse Bucha është 30 kilometra larg Kievit thotë Stuart Ramsay na u desh disa orë për të mbërritur.

“Ndërkohë që ne po ecnim me makinë ishte qetësi. Është e drejtë të them se kjo qetësi na shqetësoi. Në mënyrë të beftë pash se makina u godit dhe goma u shpua. Shpejtuam të ndalonim. Bota na u përmbys. Breshëritë e para shpuan xhamin e makinës.  Operatori Richie Mockler uli trupin nën pjesën e parë të makinës anash shoferit. Të gjithë ne ishim nën sulm. E gjithë makina u bë shoshë nga plumbat” thotë gazetari Sky News.

Atë moment tregon Stuar Ramsay,  nuk kishim asnjë ide nga na erdhi sulmi. Më vonë na u tregua nga ushtarët ukrainas,  se na kishin zënë pritë një grup rusësh, të cilët njihen si sabotatorë, me detyrë ti  paraprinë me informacione formacioneve ushtare që vinë më pas.

Rrëfimin rrëqethës  gazetari anglez e vijon duke shpjeguar se sulmi ndaj tyre ishte prej profesionistësh.

“Makina jonë u bë copash duke mos i shpëtuar asnjë prej plumbave drejtuar tek ne. Ato momente nisa të mendoj nëse vdekja ime do të ishte plot dhimbje” thekson ai.

Përjetimin e frikshëm të këtij sulmi Ramsay e rrëfen kështu.

“Kisha marrë një plumb në pjesën e poshtme të shpinës. Nisa të bërtas. Jam goditur jam goditur. Kameramani qëndronte brenda në makinë i plagosur. Kur sulmi mbaroi ne të pestë pyetëm njëri tjetrin në mosbesim të plotë si ia dolëm të jemi gjallë”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA