Ministrja e Punëve së Jashtme, Olta Xhaçka përgënjeshtoi sërish informacionet se janë dërguar mercenarë shqiptarë në Ukrainë.

Sipas ministres, është një gënjeshtër e krijuar nga Moska, duke theksuar se Shqipëria qëndron krah Ukrainës dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit rus.

“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Thënë kështu, Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë”, tha ajo.

Moska pretendon se  “mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.

Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i kanë hedhur poshtë këto pretendime të ngritura javën e kaluar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Presidenti serb Vuçiç, mbajti të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu raportet mbi “mercenarët” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë.

Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e kryengritësve pro-rusë. Serbia ka deklaruar zyrtarisht qasjen neutrale në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë.

Tensioni në Ukrainë është rritur, ndërsa jemi në ditën e nëntë të sulmit rus në Ukrainë. Dy raundet e bisedimeve mes dy shteteve ishin pa rezultat konkret, ndërsa mbrëmjen djeshme duket se u kris barriera e trashë e akullit pas shtrëngimit të duarve të delegacioneve. Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i Ukrainës, ndërsa në fundjavë pritet të mbahet raundi i tretë i bisedimeve.

Top Channel