Nga data 7 mars 2022, çdo kërkesë për rimbursimin e TVSH-së do të bëhet vetëm online, përmes Platformës Dixhitale të Rimbursimit të TVSH-së. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve, e cila ka vënë në dispozicion udhëzuesin, që orienton tatimpaguesit hap pas hapi për mënyrën sesi duhet të përdoret platforma online e rimbursimit.

Sipas DPT-së, një nga objektivat parësorë, që do të realizojë përdorimi i platformës digjitale është eliminimi përfundimtar i kontakteve fizike me punonjësit e administratës tatimore, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi, si edhe çlirimi i tatimpaguesve nga dokumentet në letër dhe nga koha e pritjes.

Falë automatizimit të sistemit, platforma digjitale e rimbursimit të TVSH-së do të garantojë transparencë të plotë në trajtimin e kërkesave sipas radhës, duke mundësuar në kohë reale përmes numrit të referencës edhe gjurmimin e statusit të aplikimit nga vetë tatimpaguesi, nё llogarinё e tij nё e-Filling.

Konkretizimi i këtij projekti të rëndësishëm në funksion të tatimpaguesve vjen si angazhim i pakthyeshëm i qasjes që Administrata Tatimore
ka për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike ndaj tatimpaguesve, që falë platformës online do të kursejnë kohë dhe do të përfitojnë shërbim cilësor.

*Për më shumë informacion, Administrata Tatimore fton taksapaguesit të telefonojnë numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve, si dhe të përdorni shërbimin Live Chat në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA