Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur inspektimet në të gjithë vendin, me fokus subjektet ushqimore që ndodhen pranë institucioneve arsimore.
Kontrollet po zhvillohen në fast-food-e, byrektore, piceri, markete dhe pika të tjera tregtimi, si dhe në subjekte ku përgatitet ushqim për grupe të veçanta, përfshirë kopshte, shkolla dhe çerdhe.
Sipas AKU-së, inspektimet kryhen në zbatim të paketës së “Sigurisë në shkolla” dhe legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe inspektimin.
Gjatë kontrolleve, autoritetet po verifikojnë përmbushjen e kërkesave të sigurisë ushqimore, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kushteve të higjienës, afateve të përdorimit të produkteve, gjurmueshmërisë dhe kushteve higjieno-sanitare.
Në fokus është gjithashtu kontrolli i etiketimit të produkteve ushqimore, ndërsa AKU po kryen edhe marrje mostrash për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, qëllimi i këtij plani masash është krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit, duke parandaluar rreziqet që mund të lidhen me ushqimet që tregtohen dhe konsumohen pranë institucioneve arsimore.
Top Channel