Në ditën e katërt të pushtimit rus në Ukraninë, janë shtuar shifrat e refugjatëve të larguar nga shtëpitë e tyre dhe është rritur numri i civilëve të vrarë.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka bërë me dije se gati 400,000 refugjatë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga e enjtja, dita kur nisi pushtimi rus.
“Numri i refugjatëve në Ukrainë është rritur. Shifrat bazohen në të dhënat e disponueshme nga autoritetet kombëtare. Totali aktual tani është 368,000 dhe vazhdon të rritet,” njoftoi OKB ditën e sotme.
Turma të mëdha njerëzish kanë kërkuar të ikin nga qytetet e tyre, ndërsa shumë refugjatë janë larguar drejt Polonisë dhe Bashkimit Evropian.
Bilanci i luftës është rënduar edhe ne radhët e civilëve, ku deri më tani janë vrarë të paktën 64 civilë të dhe qindra të plagosur, ndërsa numri total i viktimave ka arritur në 240.
Qindra shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa urat dhe rrugët e dëmtuara nga bombardimet kanë lënë disa komunitete të shkëputura nga tregjet.
Top Channel