Polonia refuzon ndeshjen me Rusinë/ Sfida do luhej në mars, e vlefshme për Kupën e Botës 2022

26/02/2022 20:17

Kombëtarja polake nuk do të përballet me Rusinë në një ndeshje vendimtare për kualifikimin e Kupës së Botës 2022 në mars për shkak të sulmit të Ukrainës nga Rusia.

Lajmin e bëri të ditur këtë të shtunë presidenti i shoqatës së futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza.

“Nuk ka më fjalë, koha për të vepruar! Për shkak të përshkallëzimit të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, kombëtarja polake nuk ka ndërmend të luajë ndeshjen play-off kundër Rusisë“,  shkroi ai në Twitter.

“Ne jemi në bisedime me federatat (suedeze) dhe (çeke) për të sjellë një deklaratë të përbashkët në FIFA.”

Polonia do të udhëtonte në Moskë për t’u përballur me Rusinë më 24 mars, ndërsa Ukraina ishte planifikuar të udhëtonte për t’u përballur me Skocinë në të njëjtën ditë.

Superylli i Bayern Munichut dhe sulmuesi i Polonisë, Robert Lewandowski shkroi në twitter: Nuk mund ta imagjinoj të luaj një ndeshje me Kombëtaren Ruse në një situatë kur agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon”, Futbollistët dhe tifozët rusë nuk janë përgjegjës për këtë, por ne nuk mund të pretendojmë se asgjë nuk po ndodh”.

Anëtarë të tjerë të skuadrës polake lëshuan deklarata të përbashkëta në mediat e tyre sociale duke rënë dakord me vendimin e shoqatës së tyre të futbollit.

“Ne, lojtarët e kombëtares polake, së bashku me Federatën Polake të Futbollit, vendosëm që si rezultat i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne nuk synojmë të luajmë në ndeshjen play-off kundër Rusisë”, thuhet në njoftim.

Top Channel