Gur, i kuq, penallti dhe tension: Skënderbeu frenon Vllazninë mes polemikave

25/02/2022 21:06

Ndodh gjithçka në Skënderbeu-Vllaznia. Sfida e parë e javës 22 përfundoi në barazim 2-2, por në stadiumin e Korçës pati tension, vendime të diskutuara, gabime, duele të forta, penallti dhe karton të kuq.

Tifozët vendas goditën me gur arbitrin anësor në pjesën e parë, njësoj siç ndodhi në takimin kundër Partizanit.

Ardit Nikaj zhbllokoi ndeshjen në minutën e 24-t, duke kaluar vendasit në avantazh. 19-vjeçari shkodran nuk festoi përballë ekipit të zemrës, edhe pse ishte goli i parë sezonal. Ekipi mik reagoi dhe barazoi me anë të Da Silvës katër minuta përpara fundit të pjesës së parë.

Goli i Vllaznisë acaroi tifozët vendas, të cilët goditën anësorin me gur. Pjesa e dytë nisi nën sulmet e Vllaznisë, por Bekim Rexhepi ishte në një formë të shkëlqyer. Zinedin Mustedanagic kaloi kuqeblutë në avantazh në minutën e 52-të. Duelet e forta dhe tensioni mes lojtarëve nuk mungoi, teksa vendimtare ishte minuta e 79-të.

Duel mes Jurgen Vrapit dhe portierit Zogovic, dhe penallti për Skënderbeun. Kryesori Laver Alla ndryshoi mendim pasi pa kontaktin në VAR, konfirmoi penalltinë dhe ndëshkoi me të kuq portierin mik, i cili protestoi ashpër pas këtij vendimi të diskutueshëm. Zguro nuk gaboi nga pika e bardhë, dhe barazim 2-2, me Skënderbeun që gjen pikën pas pesë javësh, ndërsa Vllaznia humbet terren me kreun.

Skënderbeu-Vllaznia 2-2 (Nikaj 24′, Zguro (pen) 83′ / Da Silva 41′, Mustedanagic 52′)

Kronika e ndeshjes:

Tensioni edhe në fund. Ndërhyrja e stafeve teknike shmang përplasjen mes lojtarëve.

90+7′ Vllaznia shumë afër golit të fitores. Liridon Latifi i merr kohën Shehit, por gjuajtja me kokë përfundon ngjitur me shtyllën.

83′ Gjuan saktë kapiteni Zguro, i cili ia del të mposhtë Qarrin nga pika e bardhë. Barazim 2-2.

79′ Arbitri Alla konfirmon penalltinë dhe nxjerr karton të kuq për portierit Zogovic. “Gardiani” i Vllaznisë proteston ashpër pas vendimit, shokët e ekipit nuk ia dalin ta qetësojnë.

77′ Penallti për Skënderbeun. Jurgen Vrapi fiton duelin me Zogovic, shans i artë për Skënderbeun për të barazuar ndeshjen.

74′ Sërish tension në fushë. Djurdjevic kapet me Sadriun, përfshihet edhe kapiteni Zguro. Skemë e Vllaznisë nga këndorja, Rexhepi i mohon golin Fjoart Jonuzit me një grushtim të bukur.

73′ Aralica dhe Zguro ngacmojnë njëri-tjetrin me fjalë, kryesori Alla i ndëshkon të dy me karton të verdhë.

71′ Liridon Latifi tenton gjuajtjen e menjëhershme, por nuk ka saktësinë e duhur.

65′ Aralica tregon klas në kontrollin e topit, por gjuajtja e sulmuesit kroat të Vllaznisë nuk ka forcën e duhur.

64′ Kartoni i dytë i verdhë për vendasit, ndëshkohet Erlis Frashëri për prekje të topit me dorë.

57′ “Predhë” e Krujës, “fluturon” Rexhepi duke mbajtur në lojë Skënderbeun me një pritje spektakolare.

52′ Vllaznia përmbys rezultatin. Asist i Ardit Krymit dhe gol i Zinedin Mustedanagic, i cili mposhti Rexhepin me një diagonale të saktë duke gjetur golin e dytë në kampionat. Feston edhe Thomas Brdaric në tribunë.

46′ Vllaznia e nis pjesën e dytë në sulm. Diagonale e Liridon Latifit, në gatishmëri portieri Rexhepi.

45+3′ Skënderbeu në kërkim të golit të avantazhit. Gabon Latifi me një kthim topi pas, Nikaj fiton duelin me një mbrojtës dhe tenton portën. Grushton Zogovic, Jena Victor humbet një penallti në lëvizje.

45+2′ Tjetër mundësi shënimi për Mensah, reagon sërish shumë mirë portieri i Vllaznisë.

41′ Barazon Vllaznia. Bulatovic përfiton nga gafa e Shehit dhe dhuron një asist për Da Silvën, i cili gjen golin e barazimit. Goli i shkodranëve tërbon tifozët vendas, të cilët godasin arbitrin anësor me gur.

35′ Pusi rrëmben një top dhe nis bukur Alfred Mensah, i cili humbet një shans të artë. Zogovic mban në lojë Vllazninë.

34′ Skënderbeu në sulm, Dwumfour kombinon bukur me Jean Victor, por gjuajtja nuk ka saktësi dhe forë, grushton Zogovic në këndore.

32′ Dwoumfour frenon Da Silvën në mënyrë të parregullt, karton i verdhë për lojtarin vendas, i cili i kërkon falje kundërshtarit.

24′ Skënderbeu në avantazh. Doumfour kombinon me Zguron, kros i bukur i kapitenit dhe finalizim me kokë i shkodranit Ardit Nikaj. Goli i parë sezonal në Superiore për sulmuesin 19-vjeçar, i cili nuk festoi.

21′ Vertikalizim i bukur i Liridon Latifit për Djurdjevic, por portieri Rexhepi tregohet më i shkathtë se sulmuesi i kuqebluve, i cili ishte në pozicion të parregullt. Dëmtohet “gardiani” i Skënderbeut.

1′ Vendasit e nisin me vrull sfidën ku Victor vendos në provë Zogovic, por aksioni më pas zhvlerësohet për një pozicion të parregullt të Frashërit

1′ Starton ndeshja në Korçë, Skënderbeu në hall pas pesë humbjeve radhazi, pret Vllazninë

Skënderbeu (3-4-3: Rexhepi, Bajrami, Shehi, Vitija, Frashëri, Dwumfour, Victor, Zguro, Pusi, Nikaj, Mensah
Trajner: Migen Memelli

Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic, Kruja, Adili, Diagne, Bulatovic, Krymi, Jonuzi, Da Silva, Mustedanagic, Latifi, Djurdjevic
Zv/trajner: Elvis Plori

Arbitër kryesor: Laver Alla
Asistentë: Devis Korreshi, Taluant Kasa
Arbitër i katërt: Olti Çela

Top Channel