Bllokohet në Kiev/ “U zgjova me pesë shpërthime”, Fonseca: Nuk kam si të arratisem

24/02/2022 17:58

Paulo Fonseca, ish-trajneri i Romës dhe Shakhtar Donetsk, është bllokuar në Kiev pas pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse.

Duke folur për “Jornal se Noticias”, portugezi tha: “U zgjova në pesë të mëngjesit me pesë shpërthime radhazi. Unë kisha një fluturim të planifikuar për sot, por tani është e pamundur të dal nga këtu, sepse aeroportet tashmë janë shkatërruar dhe hapësira ajrore është mbyllur. Për momentin, nga Kievi mund të largohesh vetëm në rrugë tokësore dhe të gjithë po përpiqen të arratisen në Lviv, një qytet afër Polonisë. Rrugët janë plotësisht të bllokuara, radhët janë të mëdha dhe nuk ka më benzinë. Thjesht duhet të lutemi që një bombë të mos bjerë pranë nesh.”

Në qiellin e kryeqytetit ukrainas, shpjegon Fonseca, “ka disa avionë ushtarakë” dhe për këtë arsye frika është konstante, shkruan Supersport.

“Kjo është dita më e keqe e jetës sime. Ka radhë të mëdha në supermarkete Nuk ka mbetur shumë. Tani është koha për të pritur dhe shpresuar për të qenë me fat dhe njerëzit blejnë gjithçka,”-theksoi trajneri.

Top Channel