Gjatë viteve 2017-2021sipas informacionit që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dha për Top Story, rezultojnë 59 raportime për skema të dyshimta të pastrimit të parave që lidhen me shoqëri që operojnë si ‘Call Center’ Forex.

Konkretisht, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave depozitoi gjatë vitit 2019 në prokurori 18 raste për “mashtrim financiar” dhe “Mashtrim kibernetik”. Krahasimisht me një vit më parë, rastet e dërguara në organet ligjzbatuese janë rritur me 28 %. Ndërkohë në vitin 2020, dosjet e regjistruara në prokurori për pastrim parash janë rritur 17 % krahasuar me 2019-ën. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme në organin e akuzës, në vitin 2020 u referuan 286 raste të pastrimit të parave të referuara nga institucionet apo të nisura kryesisht.

“Nëse i referohemi listës së pagave, ky treg ishte jashtë asaj liste. Të gjitha të ardhurat janë në të zezë. Pagat që u panë aty, nuk janë asgjë në krahasim me Forex” u shpreh Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie.

Burime i thanë Top Story se pagat e operatorëve senior, ata që konsiderohen me eksperiencë të madhe shkojnë mesatarisht deri në 10 mijë euro në muaj, kurse drejtuesit mbi 50 mijë euro në muaj.

Por nëse sheh listën e pagave të muajit prill 2021 të “RG Capital” vëren pagesa minimale. Paga më e lartë e deklaruar është 300 mijë lekë të reja dhe bëhet fjalë për pagën e adminsitratorit izraelit.

“Vepra penale e konsumuar është mashtrimi kibernetik. Hetimet e mëtejshme do të provojnë nëse ka edhe vepra të tjera si pastrim parashë apo evazion fiskal” u shpreh Hergis Jica, shefi i hetimit kibernetik.

Ajo që është vërtetuar nga hetimi është se transaksionet bankare të kryera në emër të kompanisë janë në shifra të mëdha. Aktualisht kompanitë rezultojnë me status aktiv në QKB pavarësisht ndalimit të aktivitetit dhe sekuestrimit të të gjithë provave që policia gjeti gjatë aksionit; që nga lista personash që telefonoheshin, dosje, fletore, telefona, kompjutera.

Top Channel