Biden dhe Putin pajtohen në parim për një takim mbi Ukrainën

21/02/2022 20:30

Udhëheqësit botërorë vazhdojnë presionin diplomatik me shpresën për të parandaluar një sulm rus në Ukrainë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord në parim për një takim mbi Ukrainën, tha të hënën presidenti francez, duke ofruar një rrugëdalje të mundshme nga një nga krizat më të rrezikshme evropiane në dekada.

Zyra e Presidentit Emmanuel Macron tha përmes një deklarate se udhëheqësi francez ftoi Presidentin amerikan Joe Biden dhe atë rus Vladimir Putin në një takim të nivelit të lartë mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë strategjike në Evropë.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se zoti Biden pranoi në parim të takohet, por vetëm nëse Rusia nuk sulmon Ukrainën.

“Ne jemi gati për diplomaci. Por ne jemi gjithashtu gati të vendosim sanksione të shpejta dhe të rënda, nëse Rusia zgjedh luftën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në një konferencë se vendi i tij e mbështet nismën e presidentit francez për një samit mbi Ukrainën, por shtoi se Moska kërkon të kuptojë se cili mund të jetë rezultati i tij.

“Para takimit në një mjedis të nxehtë, duhet të dimë se si mund të përfundojnë ato takime dhe cili mund të jetë rezultati i tyre. Udhëheqësit rusë dhe francezë u pajtuan që kolegët tanë perëndimorë si nismëtarë të aktiviteteve të tilla, do të na tregonin vizionin e tyre për rezultatet. Kështu që jemi në pritje”, tha zoti Lavror.

Deri tani kanë dalë pak detaje rreth takimit të mundshëm të njoftuar pas një serie telefonatash mes presidentëve Macron, Biden, Putin, Zelenksiy dhe kryeministrit britanik Boris Johnson.

Zyra e presidentit francez dhe Shtëpia e Bardhë thanë se pikat kryesore të planit do të vendosen gjatë takimit të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavror, i planifikuar për 24 shkurt.

Ministri i Jashtëm Ukrainas tha se mirëpret këtë nismë të re diplomatike.

“Besojmë se çdo përpjekje që ka për qëllim arritjen e një zgjidhjeje diplomatike ia vlen të provohet. Sekretari Blinken më siguroi se sikur deri tani, asnjë vendim për Ukrainën nuk do të merret pas shpinës tonë“, tha zoti Kuleba.

Edhe Sekretari i Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksiy Danilov u shpreh optimist rreth mundësisë së samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por thesoi se çështje që lidhen me vendin e tij nuk mund të diskutohen pa përfshirjen e qeverisë ukrainase.

Ende nuk është e qartë se cili do të jetë roli i palës ukrainase në këtë samit.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell theksoi domosdoshmërinë për bisedime për të shmangur luftën.

“Çfarëdo formati, çfarëdo mënyre e diskutimit në tryezë dhe përpjekjeve për të shmangur luftën është shumë e nevojshme dhe ne do të mbështesim çdo gjë që ndihmon diplomacinë, mënyra e vetme për të zgjidhur krizën”, tha zoti Borell.

Ministrja e Jashtme Gjermane, Annalena Bearbock tha se Moska është ajo që duhet të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

“Është në duart tuaja, ne jemi në tryezën e bisedimeve çdo minutë, çdo orë. Ne po ju presim juve që së bashku të sigurojmë paqe dhe siguri për Ukrainën”, tha ajo.

Lajmi për propozimin e Francës vjen pas një jave tensionesh në rritje të nxitura nga grumbullimi i trupave ushtarake ruse në afërsi të kufirit ukrainas.

Forcat ruse filluan grumbullimin rreth fqinjit të saj që nga fundi i vitit të kaluar, veprim ky që sipas Perëndimit është përgatitje për një sulm që mund të ndodhë në çdo moment./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA