Kjo është qendra e ruajtjes së kimikateve në Balëz. Në këta bunkerë janë magazinuar 216 tonë mbetje kimikatesh, si dichloromethane kripra arseniku, nitrat amoni, hidroksid amoni, madje ka edhe cianure.

Kjo është identifikuar si zonë e nxehtë mjedisore nga PNUD që në vitin 2008. Kjo qendër, ku janë të magazinuara që prej vitit 2010 disa prej kimikateve më të rrezikshme, ndodhet në zemër të fshatit, e rrethuar nga dhjetra shtëpi. Paradoksalisht, ngjitur me këtë objekt ndodhen shkolla, kopshti dhe qendra shëndetësore e zonës.

Mësuesit e shkollës thonë jashtë kamerave, se janë të shqetësuar për mbetjet që ruhen ngjitur me ta, dhe se kanë kërkuar disa herë informacion për rrezikshmërinë e tyre. Disa konfirmojnë se kanë shfaqur alergji. Ka pasur raste, kur fëmijët e fshatit janë zhvendosur përfundimisht nga shkolla për shkak të probelemeve serioze me frymëmarrjen.

“Është absurd ku është gjendur të krijohet kjo magazinë, ajo duhet të lëvizet në mënyrë urgjente nga vendi” u shpreh Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi
Edhe pse kushtet e rujatjes mund të jenë të mira, sërish lëndët avullojnë duke u përhapur në ajrin përreth. Zgjidhja e vetme që sugjerohet nga ekspertët është zhvendosja e mbetjeve.

“Kjo depozitë nuk është për gjithmonë. Ky është një vend depozitim provizor dhe kur kanë kaluar më shumë se 10 vite ne shikojmë se ende nuk është bërë asgjë. Duhet të gjendet një zgjidhje. Sado mirë që ata të ruhen sërish ato i nënshtrohen proceseve të ndryshme dhe avullojnë” u shpreh Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi.

Këto mbetje të rrezikshme janë një shqetësim serioz edhe për banorët. Ndërsa ankohen se janë zhytur e varfëri dhe nuk kanë mundësi punësimi edhe tokat i kanë të ndotura për shkak të këtyre mbetjeve. “Unë i kam tokat poshtë magazinave të këtyre kimikateve, dhe i kemi të ndotura të githa. Ata janë mbi burimet ujore dhe i gjithë uji që ne marrim për vaditje është i ndotur…është një skandal i vërtetë.

“Këtu nuk ka as punë, as asgjë. Tani na kanë sjellë këta kimikate. Më parë i kishin tek tuneli i shtëpisë sime, i kam parë vetë kur i ngarkuan dhe i sollën këtu, por ne shpresuam që të na hiqen. Sigurisht që e kemi shumë problem”. Në vitin 2010, rreth 90 tonë kimikate nga magazina në Balëz të Elbasanit u ripaketuan dhe u transportuan për në Gjermani, Belgjikë dhe Greqi nga një kompani greke, por pjesa më e madhe ende vazhdon të mos marrë zgjidhje.

“Në Elbasan grumbullohen reaktivët e rrezikshëm që kanë ekziatuar në fuçi apo thasë, kurse mbetjet e rrezikshme janë me qindra mijera tonelata ku ka pasur industri minerale dhe të gjitha këto kërkojnë një sistem monitorimi jashtëzakonisht të kujdeshëm e profesional, gjë që nuk ndodh” u shpreh Besnik Bare, kimist.

Top Channel