Nuk ndodhte prej vitit 1999/ E “ndihmon” Jorginho, portieri grek realizon një tregolësh

16/02/2022 21:58

Në lojën e futbollit nuk është diçka e zakonshme kur emri i një portieri bëhet pjesë e listës së golashënuesve të ndeshjes.

Sigurisht, rastet nuk mungojnë ndërsa mjafton të kujtojmë edhe Isli Hidin në Superiore në kohën kur aktivizohej me Bylisin apo edhe tashmë që është pjesë e Erzenit në Kategorinë e Parë.

Megjithatë, në ligën e katërt greke, një portier 37-vjeçar nuk ka shënuar një gol, por tre të tillë dhe të tre kanë ardhur nga pika e bardhë e penalltisë. Gardiani i amatorëve të Pavlos Melas, Grigoris Athanasiou u tregua i saktë nga 11-metrat në ndeshjen ndaj Aetos Vassilikon ndërsa në ndihmë i ka ardhur edhe stili i Jorginhos duke ndaluar vrullin në momentin e fundit para se të godasë topin.

Në këtë formë, Grigorius ia doli në secilën prej goditjeve që sferën dhe portierin t’i dërgonte në krah të kundërt. Ndërkaq, për të gjetur një tjetër rast kur një portier ka shënuar tre gola, duhet të kthehemi në vitin e largët 1999, kur paraguajani Chilavert shënoi një triplet në fitoren 6-1 të Velez Sarsfield ndaj Ferro Carril Oeste. Ashtu si në rastin e Grigoris, edhe Chilavert të tre golat i shënoi nga penalltia./ Supersport

Top Channel