Një ditë pasi mbylli kontratën me Osijek, Grezda bëhet me skuadër të re. Bashkohet me një tjetër shiptar!

16/02/2022 20:55

Ditën e martë, Eros Grezda dhe Osijek mbyllën bashkëpunimin edhe pse palët kishin edhe një vit kontratë që i mbante të lidhur.

Kroatët nuk ishin të bindur nga rendimenti i shqiptarit, i cili prej verës së kaluar ishte huazuar në Hungari te skuadra e Zalaegerszeg, ku nuk ia doli të shfaqte versionin e tij më të mirë.

Megjithatë, 26-vjeçari nuk ka mbetur në mes të katër rrugëve dhe së fundmi është zyrtarizuar te skuadra e re, në të cilën do të jetë pjesë deri në fundin e këtij sezoni. Fjala është për klubin e Sibenik, në Kroaci që ka vendosur t’i japë një shans gjakovarit ndërsa drejtori sportiv i kroatëve, Hrvoje Kulušić, thekson se Grezda është në një formë të shkëlqyer.

“Është në një formë fizike shumë të mirë dhe ka kompletuar përgatitjet në mënyrën e duhur me klubin në Hungari. Gjithsesi, sapo ka dalë nga karantina si pasojë e COVID dhe nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Rijekës. Por, jam i sigurt se në ndeshjen pasardhëse të cilën e luajmë në shtëpi ndaj Istrës, ai do të jetë në gatishmëri”, u shpreh Hrvoje Kulušić.

Ndërkaq, vlen të theksohet se pjesë e skuadrës së Sibenik është edhe lojtari shqiptar Suad Sahiti i cili në këtë sezon është aktivizuar për 18 ndeshje duke dhuruar edhe dy asiste./ Supersport

Top Channel