Zgjedhjet e pjesshme vendore, Rama për Zërin e Amerikës: Jemi përballë dy forcave që janë pa moral

15/02/2022 20:58

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa ndodhet në SHBA foli edhe për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në gjashtë bashki.

Ai theksoi se kandidatët socialist janë përballë dy forcave që janë në nxjerrje kunji me njëra-tjetrën dhe të dyja janë pa limitetin moral.

Kreu i qeverisë gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të gjashtë bashkive që të votojnë më gjashtë mars për kandidatët e PS-së, nëse duan të ecin para.

“Presidenti i mori peng këto komunitete për shkak të mos arsyes së tij. Këto janë zgjedhje vendore jo politike, jemi për bashkim jo ndarje. Jemi përballë dy forcave që janë në nxjerrje kunji me njëra-tjetrën dhe të dyja janë pa limitetin moral, janë pengje të së shkuarës që të dy, por i takon qytetarëve të bëjnë zgjedhjen e tyre, nuk është një betejë për jetë a vdekje, e thënë në mënyrë simbolike. Një ofertë për komunitetet, kush do të vijojë para do t’u japë votën kandidatëve tanë, kush do të bëjë politikë me jetën e përditshme do të votojë kështu dhe do e lënë bashkinë pa një kujdestar që merret me mjedisin, me llambat, me kopshtet”, tha Rama.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.

Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA