Teuta del e dërrmuar nga Shkodra, përveç pikëve trajneri Arapi humbet edhe dy futbollistë

15/02/2022 16:59

Teuta ka marrë disfatën e dytë radhazi në kampionat teksa është mposhtur me rezultatin 4-2 nga Vllaznia në transfertë.

Durrsakët po kalojnë një moment të vështirë, pasi në dy takimet e fundit kanë pësuar tetë gola dhe kanë shënuar vetëm dy herë.

Ndërkaq, trajneri Renato Arapi përveç tre pikëve të lëna, për ndeshjen e radhës ka humbur edhe shërbimet e dy mbrojtësave. Fjala është për Blerim Kotobelli dhe Harallamb Qaqin. I pari u ndëshkua me karton të verdhë duke plotësuar numrin katër dhe duhet të qëndrojë jashtë për një javë, ndërsa Qaqi i afruar në janar u ndëshkua me karton të kuq për shkak se bëri një ndërhyrje të gabuar në fundin e lojës ndaj Aralicës.

Në këtë javë, Teuta do të luajë në shtëpi ndaj Dinamos teksa për bregdetarët fitorja është i vetmi opsion duke qenë se “Djemtë e Detit” kanë dështuar të përmbushin pritshmëritë e fillimsezonit dhe janë në vendin e gjashtë me 21 pikë, pesë pikë larg zonës së ftohtë./ Supersport

Top Channel