Policia kanadeze urdhërohet të largojë kamionët e protestës në kalimin drejt SHBA (video-foto)

12/02/2022 16:18
Protestuesi thotë: Nuk largohemi

Policia në Kanada ka nisur sot veprimin për të çarë bllokadën e kamionistëve anti-vaksina që kanë bllokuar një prej kalimeve kryesore të vendit me SHBA.

Kamionistët dhe mbështetësit e protestës së tyre që kane bllokuar urën kufitare ‘Ambassador Bridge’, po demonstrojnë me bllokadë prej shtatë ditësh kundër vaksinimit të detyruar dhe kufizimeve Covid-19.

Zemërimi publik është shtuar ndaj kryeministrit Justin Trudeau për qasjen e tij ndaj pandemisë. Disa kamionistë silleshin sot rrotull zonës, së bashku me të tjerë që kanë ardhur me veturat apo kamionçinat e tyre.

Zhvillimi vjen pas një urdhri të djeshëm të gjykatës për çbllokimin e urës Ambassador Bridge – e cila lidh rajonet kanadeze Windsor e Ontario me ato amerikane Detroit e Michigan.


Kryeministri i Ontario, Doug Ford shpalli gjendjen e emergjencës në provincë me të cilën autoritetet mund të vendosin gjoba deri në 100,000 dollarë ose deri në një vit burg për ata që vijojnë bllokimin e rrugëve apo të infrastrukturës kritike.

Gjykatësi i lartë i Ontario, Geoffrey Morawetz, kishte dhënë afat për largimin e protestuesve deri mbrëmjen e të premtes por koha ka kaluar dhe bllokada vijon.

Policia në Windsor paralajmëronte se kamionistët protestues kundër vaksinimit të detyruar mund të arrestohen dhe automjetet e tyre të sekuestrohen.

Prej të hënës shoferë kanadezë protestues ndaj masave qeveritare të vaksinimit kanë bllokuar urën e rëndësishme që lidh Windsor me Detroit, në të cilën kalon rreth 25% e tregtisë mes SHBA dhe Kanadasë.

Ndërkohë mijëra kamionistë të tjerë kanë bllokuar zonën qendrore adminsitrative në kryeqytetin Ottawa prej tashmë dy javësh.

Kamionistë protestues kanë bllokuar gjithashtu kalimet kufitare me SHBA në Alberta e Manitoba.

Bllokada e protestuesve ka nisur të shkaktojë dëmet e para në furnizime sidomos në pjesë këmbimi në industrinë e makinave sipas mediave vendase, për impjantet prodhuese të grupeve General Motors, Ford, Toyota e Honda.

Kufizimet e pandemisë raportohet se ishin shume më të ashpra në Kanada sesa në SHBA, edhe pse numri i infektimeve e vdekjeve ka qenë më i ulët.

FOTO GALERI
2/5
Ndërkohë mijëa kamionistë të tjerë kanë bllokuar zonën qendrore administrative në kryeqytetin Ottawa prej tashmë dy javësh.

Top Channel