Guindo dhe Dajsinani nderojnë Laçin, Vllaznia bie pas 11-të ndeshjesh

06/02/2022 17:35

Laçi mposhti 1-0 Vllazninë dhe vazhdon të ndjekë Tiranën kryesuese (+6 pikë). Derbi i Veriut ishte një ndër ndeshjet më të forta dhe të bukura të kampionatit. Sfida u vendos nga një penallti e fituar nga Mentor Mazrekaj dhe e ekzekutuar saktë nga Saliou Guindo në minutën e 65-të.

Sulmuesi i bardhezinjve gjeti golin e dhjetë sezonal në Abissnet Superiore dhe i dhuroi tre pikë fantastike Laçit. Edhe pse pa Lushkjen e larguar dhe Shehun e pezulluar, djemtë e Mirel Josës u shfaqën cinikë dhe siguruan fitoren e shtatë radhazi pa pësuar në shtëpi.

Meritë pati edhe portieri Mario Dajsinani, i cili ishte në një ditë të shkëlqyer. Vllaznia zhvilloi një futboll shumë të bukur, sulmoi pafund, por rikthehet pa pikë në Shkodër. Miqtë kaluan në avantazh në pjesën e parë, por VAR-i anuloi golin e Fahrudin Djurdjevic për prekje me dorë nga Da Silva, lojtari që shkaktoi edhe penalltinë.

Guindo dhe Ante Aralica goditën traversat për ekipet respektive, dhe në fund 1-0 për Laçin, që është ngjitur në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Vllaznia, që i jep fund ecurisë prej 11-të ndeshjesh pa humbje, mbetet në vend të katërt me 30 pikë./Super Sport

Top Channel