Rekordi i ri i Luiza Gegës në Francë/ Veliaj: Krenar për atleten elitare dhe Federatën që mbështet sportistët

05/02/2022 16:44

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka përgëzuar atleten Luiza Gega, e cila ka arritur një tjetër sukses me rekordin e saj më të fundit në “Meeting de Miramas” në Francë.

Duke u shprehur krenar për sportisten elitare që përfaqëson denjësisht Tiranën në kompeticione në arenën ndërkombëtare, Veliaj nënvizon edhe faktin se një pjesë e kësaj arritjeje për Shqipërinë i dedikohet edhe Federatës së Atletikës që mbështet talentet tona.

“Ja rezultati kur sporti hapet, kur ka votime të ndershme, kur federata, si ajo e atletikës, mbështet sportistët e jo Presidentin, e kur ka transparencë e fondet shkojnë tek talentet. Bravo Luiza Gega, goca jonë e KS TIRANA që na bën krenar,” shprehet Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale.

Luiza Gega shënoi rekordin e ri, 8:50.08 në garën e 3000 metrave në salla të mbyllura, në Miramas. Paraqitja e atletes së Tiranës u shpall edhe si “best performance” e të gjithë eventit, pasi krijoi një shkëputje të madhe nga rivalet në një turne ku merrnin pjesë sportistë elitarë dhe medalistë olimpikë.

Top Channel