Lutje për jetën/ Grupet e shpëtimit arrijnë pranë 5-vjeçarit të bllokuar në pusin në Marok (fotot)

05/02/2022 17:13

Grupet marokene të shpëtimit vazhdonin sot përpjekjet dhe lutjet për shpëtimin e 5-vjeçarit të bllokuar në një pus të ngushtë 30 metra të thellë, në veri të Marokut.

Fëmija i identifikuar vetëm si Rayan, është tashmë i bllokuar prej katër ditësh thellë në fund të pusit dhe zjarrfikësit thanë se tashmë janë pranë tij, por me kalimin e çdo ore shpresat vijojnë të reduktohen për ta gjetur gjallë.

“Njerëzit nuk kanë kursyer asgjë për të shpëtuar djalin tim,” tha babai i tij Rayan teksa ndiqte punën dhe gërmimet, raporton agjencia Reuters.

Pamje direkte nga televizioni shtetëror Al-Aoula TV tregonin mbrëmë nisjen e gërmimeve horizontale për të arritur fëmijën.

Djali fatkeq ra në pusin e rrezikshëm pasditen e të martës.

Megjithse në pus janë dërguar ushqim dhe oksigjen nuk ka siguri për mbijetesën e të voglit.

Ai ishte zbuluar vetëm pasi ishte dëgjuar nga e ëma që qante, dy ditë më vonë.

Babai i tij tha për rrjetin Al-Aoula se kishte parë të birin që pinte ujin e dërgur në fund të pusit nga punonjësit.

“Ai po lëvizte, po pinte pak ujë. Shpresojmë që të jetë mirë, Zoti e ndihmoftë, tha i ati.

Mediat lokale thonin se fëmijës i ishte dërgur ujë dhe ushqim me anë të litarëve.

Një anëtar i grupeve të shpëtimit tha se gërmimet vijojnë dhe se operacioni ka arritur në një fazë komplekse teksa zyrtarët kërkojnë të evitojnë shembje të mundshme të dheut.

Një helikopter dhe staf mjekësor janë në pritje në skenë për nxjerrjen e djalit, ndërsa qindra njerëz presin për lajme në vendngjarje dhe mijëra të tjerë luten për të nga rrjetet sociale e televizive.

FOTO GALERI
5/5
Mijëra të tjerë luten për të nga rrjetet sociale e televizive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA