Tur force që përcakton objektivat e sezonit, Inter luan 4 super-sfida për 11 ditë

04/02/2022 12:46

Shkurti është një muaj ferri për Interin, por njëkohësisht edhe emocionesh të forta për tifozët, që do të mund të shijojnë disa përballje mjaft spektakolare, duke nisur nga e shtuna e derbit të Madoninnës ndaj Milanit.

Në harkun e 11 ditëve zikaltrit do të “matin forcat” me Milani në kampionat, Romën në Kupën e Italisë, Napolin sërish në Serie A dhe më pas Liverpoolin në Ligën e Kampionëve, teksa Simone Inzaghit duhet t’i kenë filluar dhimbjet e kokës për mënyrën si do të menaxhojë forcat e skuadrës për këto katër takime.

Megjithatë para së gjithash është derbi i qytetit ndaj Milanit, një kundërshtar direkt në garën për titull, të cilën Interi mund ta vrasë përfundimisht nëse fiton ndaj kuqezinjve, ndaj Inzaghi nuk do të kursehet dhe po planifikon të hedhë në fushë më të mirët.

E njëjta situatë pritet edhe tri ditë më vonë në Kupën e Italisë ndaj Romës (ekskluzivitet i Supersport), pasi çerekfinalja është me ndeshje teke dhe kualifikimi vendoset brenda 90-minutëshit, ndaj tekniku zikaltër nuk do të mund të bëjë llogari.

Ende “pa u tharë mirë djersa e ndeshjes së Kupës”, zikaltrit do të udhëtojnë në stadiumin “Diego Armando Maradona” për t’u përballur me Napolin vendas, një tjetër rival direkt në luftën për titullin kampion.

Turi i forcës do të mbyllet më 16 shkurt në “San Siro”, me ndeshjen e parë ndaj Liverpoolit, e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, një kompeticion ku zikaltrit do të provojnë të tregojnë se më në fund janë gati të garojnë mes më të mirëve të Europës.

Vetëm pas kësaj sfide dhe në pritje të ndeshjes së kthimit në “Anfield Road”, Inzaghi do të ketë mundësi të bëjë “turn-over” dhe t’u japë mundësi çlodhjeje titullarëve të tij, pasi kalendari i ka vendosur përballë kundërshtarë si Sassuolo e Salernitana në shtëpi dhe Genoa në transfertë.

Gjithsesi tani Interin e presin 11 ditë ferri, në fund të të cilave do të vendoset jo pak sa u përket objektivave sezonalë të zikaltërve, të cilët për momentin po luajnë në tre fronte, por vështirë se do të bëjnë diçka të tillë për shumë kohë.

Top Channel