Rrugorja e Tiranës ka shtuar kontrollet intensive në terren me qëllim parandalimin e shkeljeve që janë rrezik për jetën e këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Blutë bëjnë me dije se janë goditur dy raste të tentativës për mitëdhënie, një rast i falsifikimit të dokumentacionit për xhamat e errësuar dhe 85 raste të përdorimit të targave të huaja të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit.

Ndërkaq, janë proceduar penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit O. Gj., 37 vjeç dhe L. S., 40 vjeç.

Këta dy të fundit janë kapur duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjeteve të tyre, dhe në tentativë për të shmangur masën administrative, kanë tentuar të korruptojnë grupet e kontrollit, duke iu ofruar para.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve parandaluese, te Sheshi “Nënë Tereza”, efektivët e Task Forcës së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë konstatuar automjetin me xhama anësore të errësuara, që drejtohej nga shtetasi K. D. Gjatë kryerjes së veprimeve policore dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit të errësimit të xhamave, rezultoi që ky dokument ishte i falsifikuar. Drejtuesi i mjetit, shtetasi K. D. u procedua penalisht për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në bazë të kontrolleve me fokus problematikën e përdorimit të targave të pavlefshme ose që nuk u përkasin mjeteve në të cilat janë vendosur, janë sekuestruar 3 automjete dhe janë tërhequr nga qarkullimi, 85 targa që u ka përfunduar vlefshmëria.

Top Channel