Real Madrid i fiksuar pas Gjermanisë, tani në “radar” përfundon mbrojtësi i Leipzig

03/02/2022 09:46

Real Madrid kërkon të përforcojë skuadrën sezonin e ardhshëm dhe fokusi mbetet Gjermania.

Në ditët e fundit është përmendur Corentin Tolisso, i cili mund të jetë transferimi i radhës për spanjollët dhe për më tepër me parametra zero, ashtu si Alaba gjatë merkatos së verës.

Gjithsesi, vëmendja e madrilenëve është në mbrojtje dhe drejtuesit e klubit po punojnë në këtë repart, duke ditur se në përfundim të sezonit kontrata e Marcelo-s skadon dhe braziliani do të largohet nga skuadra. Sipas burimeve pranë klubit spanjoll, bëhet fjalë për Jose Angel Esmoris Tesende, i njohur ndryshe si Angelino. Spanjolli 25-vjeçar është pjesë e Leipzig dhe po luan sezonin e tij të tretë në Bundesliga, pas eksperiencave në Premier League me Manchester City, në Holandë me PSV-ën dhe NAC Breda. Mbrojtësi nuk ka luajtur asnjëherë në La Liga dhe pse në fillimet e karrierës ka qenë pjesë e Deportivo La Coruna, Girona dhe Mallorca, ndërsa sezoni tij i fundit në Spanjë ishte 2016-2017 me Mallorca në ligën e dytë.

Angelino tërhoqi vëmendjen me PSV dhe pikërisht paraqitja e tij detyroi drejtuesit e Manchester City të riblenin kartonin e tij në korrikun e 2019-së, por rikthimi në ishull zgjati vetëm 6 ndeshje. Në Bundesliga, Angelino ka rigjetur formën, duke u kthyer në një lojtar të padiskutueshëm për RB Leipzig, ndërsa interesi i Real Madrid rritet nga dita në ditë. Për “Los Blancos” mbrojtësi 25-vjeçar i ka të gjitha cilësitë e duhura dhe drejtuesit e klubit spanjoll po përgatisin ofertën e duhur, ndërsa lojtari ka një kontratë me gjermanët deri në verën e vitit 2025 dhe vlera e tij në treg llogaritet rreth 40 milionë euro.

Top Channel