Arsenali i kënaqur me Artetan, ka gati kontratën e re edhe për talentin anglez

02/02/2022 10:43

Merkatoja e janarit për Arsenalin ishte mjaft e trazuar, megjithatë për trajnerin Mikel Arteta vjen një lajm pozitiv.

Sipas “Football London”, skuadra e Arsenalit është e kënaqur me punën e trajnerit bask dhe ndonëse kanë mbetur edhe 18 muaj deri në fund të kontratës së tij, tashmë po mendojnë ta rinovojnë atë.

Klubi do të presë deri në fund të sezonit për t’u ulur në tryezë për të negociuar dhe për të nënshkruar një marrëveshje të re.

Në fakt, Arsenali po mendon për “goditje” të dyfishtë. Nëse trajneri rinovon kontratën, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me një nga lojtarët e tij të rinj, që konsiderohet dhe nga më të rëndësishmit: Bukayo Saka. Lojtari i përfaqësueses angleze, vetëm 20-vjeç, ka zënë një vend të padiskutueshëm në formacionin titullar të “Topçinjve”. Edhe pse ai ka kontratë deri në vitin 2024. Arsenali dëshiron “të mbrohet” nga “sulmet” e klubeve të mëdha, duke i ofruar një pagë më të përshtatshme për rëndësinë që ka në skuadër./SuperSport/

Top Channel