Droga dhe lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj, por jo për të burgosurit.

Madje edhe kur telefonat ndalohen, kjo nuk ndodh për të burgosurit e sigurisë së lartë si Arben Grori, i cili jo vetëm e futi pa problem telefonin në qeli, por e mbajti haptazi dhe madje rezulton se fliste edhe me policët që janë nën hetim si Veli Bici dhe Robert Dedaj.

Një skemë që funksiononte duke korruptuar policë burgjesh deri tek ata që kishin dyqan brenda burgut të Bradasheshit, kthyer në një pikë të shpërndarjes së porosive. Hetimi i SHKBB-së hodhi dritë mbi atë që ndodh realisht brenda burgjeve me njerëz të rëndësishëm të krimit, të cilët në një rast bënë gosti me alkool, edhe ky i ndaluar në qeli.

Shefi i policisë së burgut të sigurisë së lartë në Peqin, Hysni Ndreu dyshohet se u pagua nga të burgosurit dhe familjarë të tyre për të futur sende të ndaluara që nga telefoni, drogë dhe alkool. Burimet e Top Channel shpjegojnë se për të bërë funksionale këtë skemë rezulton se shefi i policisë u bëri presion që mos ti nënshtrohej kontrolleve në brendësi të regjimit, një detyrë që duhet ta kryenin në një nga rastet e provuara policët e akuzuar për shpërdorim, Olgert Mocka, Artan Daullari dhe Metke Nurcellari. Mes bashkëpunëtorëve që ndihmuan në furnizimin e të burgosurve është edhe një ish polic, aktualisht detektiv privat.

skema që tregon se të burgosurit e kthyen qelinë në parajsën e bixhozit dhe të alkoolit u zbulua nga kqyrja e telefonave, ku del se ata porosisnin vënie bastesh dhe diçka e tillë dyshohet se ka ndodhur njëkohësisht në burgun e Peqinit, Bradasheshit dhe Drenovës. Të tjerët e zbatonin porosinë nga jashtë mureve.

Një aparat telefoni i futur fshehurazi në burgun e Peqinit dhe që dyshohet që i përkiste të burgosurit Aleksandër Llanaj, aktualisht në regjimin e ashpër 41 Bis, është përdorur dhe jo vetëm, por edhe nga efektivët e policisë për të vendosur baste. Ky aktivitet sipas hetimit zhvillohej edhe në një lokal në qytetin e Vlorës.

Në një rast 31-vjeçar nga Vlora, Aleksandër Llanaj, komunikonte qetësisht me telefonin që duhet të ishte i ndaluar me policinë e Drenovës, Ilia Bashello me shokun e tij, por edhe me të burgosurit Aleksandër Sinanaj dhe Arben Grori.
Nga hetimet tregojnë burime e TCH rezulton se i dënuari konsumonte alkool bashkë me dy të dënuar të tjerë, njëherazi nën hetim.

Hetimi nisi pas një greve në burg te mbajtur ne shtator 2021 qe sipas indicieve e bindi shërbimin e kontrollit te brendshëm te burgjeve se duhet te niste hetimet. Bëhet me dije se për këtë çështje të raportuar më herët nga TCH mbi hetimet që po kryheshin janë bashkuar disa procedime, ku nuk përjashtohet edhe shpërndarja e drogës në qeli.

Top Channel