Rinovohet “Niko Dovana”/ Drejt përfundimit punimet në stadiumin e Durrësit

31/01/2022 15:29

Stadiumi i kampionëve në fuqi të Abissnet Superiores, si “Niko Dovana” i qytetit të Durrësit, është drejt përfudimit të rikonstruksionit dhe ndërrimit të tapetit të tij.

Presidenti i federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka së bashku me presidentin e klubit Teuta, Edmond Hasanbelliu, kanë qenë për një inspektim të këtyre punimeve dhe për të inaguruar një prej fushave stërvitore të aneksit të këtij stadiumi.

“Durrësi mund të konsiderohet si një nga klubet me infrastrukturë relativisht të mirë, por ka mundësi për të bërë më shumë. Ne, në bashkëpunim me klubin, bashkë me Bashkinë e Durrësit kemi investuar në rikonstruksionin e kësaj fushe ku jemi tani, të aneksit tjetër dhe të fushës së stadiumit. Por, duke pasur parasysh pozitën gjeografike që ka stadiumi, ka mundësi të bëjmë akoma më shumë, me qëllim që të kemi sa më shumë fëmijë për të luajtur futboll dhe t’i krijojmë kushte sa më të mira edhe ekipit të pare”, u shpreh Armand Duka, president i FSHF- së.

Ndërkohë presidenti Hasanbelliu theksi edhe një herë se kompleksi sportiv pranë stadiumit të këtij qyteti ka një hapësirë të madhe të ruajtur dhe si rrjedhojë do të ketë edhe një tjetër fushë që do të përfundojë në ditët në vazhdim.

“Dua të falënderoj Federatën e Futbollit dhe në veçanti Presidentin Duka për këto investime që janë shumë të rëndësishme për ne dhe sidomos për amatorët e fëmijët. Përveç kësaj fushe që ka mbaruar dhe doli shumë mirë dhe shumë bukur, edhe fusha tjetër që po mbaron për një javë. Kemi goxha hapësira dhe themi se në bashkëpunim me Federatën do të rregullojmë gjithçka”, tha Hasanbelliu.

Në dy fazat e ardhshme drejtuesit e klubit kampion të vendit do të rikthehen të zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin “Niko Dovana” i cili i ka kushtëzuar të luajnë ndeshjet e tyre në transfertë si në Rrrogozhinë apo Elbasan.

Top Channel