“Konkurs 2022”, iniciativë e Kryeministrit Edi Rama në fundvitin që lamë pas, u finalizua sot me ndarjen e çmimeve në hollin e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri.

Përmes kësaj nisme, Kryeministri Rama ftoi të gjithë qytetarët të adresonin fotot, video kërkesat dhe urimet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëduam.al.

Në përgjigje të ftesës, mbi 700 pjesëmarrës shprehën përmes imazhit, tekstit dhe videos një mesazh që buronte nga zemra. Në kategorinë e fotografisë morën pjesë 455 pjesëmarrës, imazhet e të cilëve u frymëzuan nga peizazhe, portrete apo simbolika të ndryshme. Fotografitë fituese u ekspozuan në hollin protokollar të Kryeministrisë, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me to në ditët në vijim.

Në kategorinë e video kërkesave morën pjesë 159 pjesëmarrës, të cilët ideuan videon e tyre me një kërkesë specifike lidhur me shkollën apo komunitetin ku jetojnë. Ndërsa në kategorinë e urimeve morën pjesë 97 pjesëmarrës, të cilët shprehën përmes një mesazhi të shkruar urimet e tyre për vitin e ri 2022.

Përtej garës për fotografinë më impresionuese, urimin më të veçantë apo video kërkesës më frymëzuese, mesazhi që ky konkurs përçoi ishte dëshira për të nisur të gjithë së bashku një vit të ri më të bukur, më të mbarë dhe më të begatë.
Në shpërndarjen e çmimeve dhe të shpërblimeve simbolike, Kryeministri falenderoi qytetarët që u bënë pjesë e tij, me shpresën dhe urimin që ky konkurs të kthehet në një traditë, me pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë.

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimeve:

Kam kënaqësinë të jem këtu me një artist prej vërteti që ndryshe nga të tjerë artistë që ju mund t’i njihni, nuk e ka lënë për asnjë moment pasionin e tij të madh të vdesë dhe falë tij dhe miqve të tjerë të jurisë, ne sot mund të shpërblejmë simbolikisht me çmimet fituesit e këtij konkursi.

Dua të përfitoj nga rasti të them vetëm se së pari është një kënaqësi e veçantë që një ftese spontane times, kaq shumë njerëz iu përgjigjen pozitivisht.

Së dyti, dua t’ju falnederoj ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që nuk janë këtu e që morën pjesë në këtë konkurs me shpresën dhe urimin që ky konkurs të bëhet traditë e gjithmonë e më shumë njerëz të marrin pjesë në të.
Së treti, kemi menduar që simbolikisht t’ju japim fituesve nga një shenjë të veçantë, por jo vetëm atyre që kanë marrë çmime, por dhe pjesëmarrësve të tjerë. Një pjesë janë këtu të pranishëm, një pjesë kanë marrë pjesë duke qenë jashtë Shqipërisë fare. Një pjesë tjetër e kanë pasur të pamundur të jenë sot këtu. Të gjithëve do t’i çojmë një shenjë mirënjohje dhe falenderimi, ndërkohë që në parantezë dua vetëm të bëj një shtesë përpara se sa pastaj të ndajmë çmimet. Ka dhe një çmim të publikut në mos gabohem që është i ekspozuar po këtu bashkë me tre fotografitë e tjera dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi mundësinë të shprehim këtë konsideratë përmes mendimit të kualifikuar të një jurie artistësh dhe ustallarësh të vjetër tanimë, se kur e kam njohur Besimin i kishte të gjitha flokët. Sot ka më shumë se unë, por prap ka më pak se sa kishte kur ka bërë shkrepjen e parë.

Faleminderit shumë dhe anëtareve të tjerë të jurisë dhe faleminderit dhe agjencisë për organizimin, për punën, Eridanës, gjithë të tjerëve që u përfshinë.

Faleminderit dhe ministres së Arsimit dhe Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe pa diskutim edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit Parauniversitar, që ndihmoi duke pasur parasysh që në rubrikën e konkursit për videokërkesat ishin masivisht kërkesa të bëra nga nxënëset dhe nxënësit e shkollave të ndryshme të vendit. E këtu dua të  shtoj diçka në atë që u tha, se mbase mund të lindi nevoja për një shpjegim ndër të gjithë ata konkurrentë që ishin një numër i konsiderueshëm që ku ndryshon kërkesa e një shkolle nga një shkollë tjetër, përderisa pak a shumë të gjitha shkollat kanë kërkuar palestra, biblioteka, salla zejesh apo kompjuterë. Ndryshimi qëndron në faktin që pavarësisht se në thelb apo në përmbajtje kërkesat nuk kanë qenë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, në formën e tyre, në pasionin me të cilin janë bërë, në mënyrën si është adresuar kërkesa, sigurisht ka pasur avantazhe dhe disavantazhe dhe kjo ka qenë arsyeja e vlerësimit si kriter.

Ndërkohë që u tha këtu, se jo vetëm shkollat të cilat kanë fituar, por dhe shkollat e tjera që kanë bërë kërkesë do të ndihmohen dhe është me rëndësi të dihet që këtu nuk është fjala për një kërkesë të drejtpërdrejtë dhe një akses të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit. Këtu është fjala që ne sëbashku me nxënësit që kanë bërë kërkesat, të bashkëpunojmë dhe t’i mbështesim ata për të financuar nevojat e tyre, që do të thotë që ne do ta shfrytëzojmë këtë proces për të rritur, jo vetëm ndjeshmërinë, por edhe dijen e nxënësve mbi mundësitë shumë më të mëdha se sa ato që duken, në pamje të parë, që ka çdo individ që organizohet bashkë me të tjerët për të realizuar një qëllim, duke ndjekur një sërë hapash.
Pra, nëse individualisht nuk ka nxënës në një shkollë që nuk do donte të kishte një palestër, e cila mungon apo një bibliotekë, e cila mungon apo një cfarëdo qoftë tjetër e cila mungon, ndryshimin e bën hapi tjetër, kurajoja dhe vullneti për të krijuar një grup që ndan, jo vetëm të njëjtin mendim që po ne duhet t’i kemi këto gjëra, por ndan edhe bindjen se ne duhet të luftojmë për t’i pasur këto gjëra dhe pastaj sigurisht fillon numërimi i dyerve, në cilat dyer mund të trokasim, por për të trokitur në dyer të ndryshme nuk mjafton thjesht të trokasim e të themi “ne duam një bibliotekë”, se kush nuk e do, por duhet edhe një projekt i shkruar nga ne si grup që të argumentojmë pse dhe të argumentojmë, jo vetëm pse duhet biblioteka, por pse pikërisht duhet të na besohet ne dhe jo shumë të tjerëve që kanë të njëjtën nevojë, duke argumentuar se çfarë do bëjmë ne me bibliotekën, si do ta fusim ne atë në eficiensë, sa do ta rrisim vëmëndjen ndaj librit, sa do kemi lexues të regjistruar, e kështu me rradhë, në pafundësi mund të merren këtu shembuj dhe argumente, për të bindur ata që kanë kapacitet të financojnë, për të bindur qeverinë, për të bindur fondacione të ndryshme, për të bindur organizata të ndryshme e kështu me rradhë.

Pra, do të jetë një ushtrim që ne do ta bëjmë me shumë dëshirë bashkë me nxënësit dhe jo vetëm ato tre komunitete që kanë arritur të fitojnë e për të cilët rruga do të jetë ndoshta pak më e lehtë sepse janë fitues, e kështu vitin e ardhshëm kur të bëhen video kërkesat, të gjithë do mendojnë që të bëjnë një videokërkesë sa më tërheqëse e sa më bindëse, por edhe të tjerët duke filluar të krijojnë një rrjet dijeje për mënyrën se si shkruhen projektet, për mënyrën se si aksesohen fondet për të realizuar qëllime nga më të ndryshmet, sepse është një dije, e cila pastaj do t’i vlejë të gjithëve nesër kur të mbarojnë shkollën në këtë botë ku ka pafund mundësi, por ku duhet të dish të aksesosh ato kanale komunikimi dhe financimi pa qëndruar pasiv duke pritur që të vijë shteti e t’i bëjë për ty të gjitha.
Ndërkohë që për pjesën e fotografisë, nuk dua të shtoj më shumë, foli Besi shumë më mirë se sa unë, por dua të them që edhe këtu ne duam ta krijojmë këtë traditë dhe duam ta rrisim gamën e pjesëmarrësve. Ndërkohë që për ne, siç tha dhe Bora më parë, qeveria ka një prioritet mbi çdo prioritet, që janë fëmijët, në sensin e punëve konkrete për ta, në sensin e mbështetjes konkrete për ta, jo thjesht në atë sens të përgjithshëm teorik që nuk diskutohet vlen për të gjithë, që çdo familje fëmijët i ka prioritetin e prioriteteve dhe kështu edhe Shqipëria, fëmijët i ka prioritetin e prioriteteve, por në këtë rast ideja është për të shkuar më tutje e për këtë arsye, ne kemi vendosur si asnjëherë më parë fonde të konsiderueshme për të adresuar nevojat e fëmijëve tanë për art pas shkolle, për zeje pas shkolle, për teknologji që është në një farë mënyre një zë dhe ndoshta zëri më i spikatur i zejeve, por nuk është e vetmja gjë që përfshin zejet dhe për sportin.

Në fund, kishim dhe një kategori tjetër ku mbase nuk ka pasur të njëjtin kuptim ose nuk ka qenë e njëjtë shkalla e të kuptuarit e konkursit dhe pjesëmarrja ka qenë më e vogël, por sidoqoftë, kanë marrë pjesë edhe në këtë kategori të urimeve për të zgjedhur urimet më të spikatura, një numër fëmijësh që e kanë marrë ftesën nga rrjete sociale dhe çmimin e parë për urimin më të spikatur e merr një nxënëse në shkollën Bakushe Visha në Fushë-Krujë, e cila quhet Ana Karaj. Ajo shkruan që është në shkollën 9-vjecare Bakushe Bisha. “Jam një fëmijë me probleme shëndetësore dhe si e tillë unë nuk mund të ndjek hapat e bashkëmoshatarëve të mi gjatë procesit mësimor. Jo vetëm unë por ka dhe nxënës të tjerë të kësaj shkolle që për të ndjekur hapat e bashkëmoshatarëve, na duhet një person që të na qëndrojë pranë për të kaluar pengesat që ne hasim. Këtë hall na e ka plotësuar ministria e Arsimit e cila na ka mundësuar mësuese ndihmëse dhe unë xhaxhi Kryeministër mendova t’ju kërkoja juve dhuratën për këtë fund viti por fati ishte e shkruar që zonja D të bëhej për mua babagjysh i këtij fund viti, pikërisht si mësuese dhe unë sot do doja ta falnederoja përzemërsisht sepse u bë urë lidhëse midis problemit tim dhe personit që më mundësoi që unë të dëgjoj zërin e prindërve të mi, të mësues, të bashkëmoshatarëve të mi dhe gjithçka që më rrethon. Falënderoj përzemërsisht zonjën D dhe mësuesen time ndihmëse, duke i uruar me gjithë zemër gëzuar 2022!”

Çmimi i dytë është i një tjetër vajze, apo zonje, se nuk dallohet këtu. “Urimi im babagjysh është të na sjellë atë dhuratën që quhet qetësi, brenda çantës shto disa fara të asaj gjësë shumë të rrallë që quhet lumturi, hidhi gjithashtu dy apo tre pika gëzimi për të fshirë shumë lot. Nëse ka ende hapësirë vendos shumë, por shumë forcë për të besuar përsëri”.

Dhe çmimi i tretë përsëri është vajzë apo grua, Albina Tahiraj. “2022 mirë se të vish. Tik, tak, tok drejt fundit 2021. Vit i mbushur me zënka, debate primitive dhe groteske, me ushqyerje të pangopur urrejtje dhe aksidentalisht, totalisht plot sëmundje fatale. Dua me gjithë sinqeritet të kërkoj dhe ju lutem me shpresën që do ta lëmë këtë mynxyrë në harresë të vërtetë. Uroj që 2022 të jetë thjesht ndryshe. Duam që të jemi të lirë t lëvizim, të punojmë, të dashurojmë dhe sigurisht të jetojmë. I kërkoj zotit me përulësi që të na ndriçojë me buzëqeshje humane dhe të na begatojë me dritë hyjnore sepse mbi të gjitha, dhurata që duam nga vitit 2022 është të ndihemi gjallë”.
Shumë faleminderit, shumë respekt e ndërkohë për të gjithë ju që keni marrë mundimin të vini e të jeni të pranishëm, kemi një kujtim simbolik dhe dëshirën që t’ju japim dorën e t’ju themi faleminderit nga afër.
Këtu mbyllet pjesa për ata që na ndjekin, tani më ndiqni ju mua ose ju ndjek unë juve nga rruga këtej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA