Ekspertët e patën të pamundur ta besojnë, por policia holandeze doli publikisht me njoftimin se kishte gjetur gjallë një person në pjesën e rrotave të një avioni që u ul në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.

Avioni mbërriti në Holandë nga Johanesburgu i Afrikës së Jugut. Fluturimi zgjati gati 11 orë ndërsa mjeti kishte bërë edhe një ndalesë në Kenia. Është tejet e pazakontë që njerëzit të arrijnë të mbijetojnë në kushte të tilla në fluturime të gjata për shkak të të ftohtit, por edhe sasisë së ulët të oksigjenit në lartësi të mëdha. Policia holandeze ende nuk ka njoftuar as moshën, dhe as kombësinë e personit.

Zëdhënësja e saj, Joanna Helmonds, sqaroi vetëm se personi është gjetur në pjesën e rrotës së parme të avionit. Ai u dërgua menjëherë në spital, megjithatë gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme. “Është mjaft e habitshme sesi ky burrë është ende gjallë”, tha Helmonds.

Edhe një zëdhënës i transportuesit të mallrave Cargolux konfirmoi në një email për Reuters se personi në fjalë kishte qenë në një fluturim të Cargolux Italia. Ende nuk dihet me saktësi nëse burri u ngjit në avion në Afrikën e Jugut apo në Kenia, kjo ende po verifikohet.

Top Channel