Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguron të gjithë ata që preken nga procesi i rindërtimit i lagjeve të reja në zonën e “5 Majit”, se do të marrin kompensim të plotë pa humbur asnjë metër katror nga prona e tyre.
Gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive të shërbimit taksi në Tiranë, Veliaj tha se askush nuk mund të bllokojë progresin e qytetit duke kërcënuar.
“Secili po merr të njëjtat metra katrorë. Ke zaptuar 450 metra pa leje, do marrësh 450 metra, por tani të urbanizuar, me leje, nga arkitekti Stefano Boeri. Gjë më të ndershme se kaq nuk ka. Teksa ndodh kjo, pavarësisht se erdhe ti tek lumi dhe jo lumi te ty, do marrësh bonusin e qirasë. Krejt papritur, e gjithë media merrej dje me dy kriminelë dhe thoshte si do e vrasësh kryetarin e bashkisë? Me kallash apo me acid? E para e punës, jam i fundit që i ha këto muhabete. Ata që bërtasin më shumë nuk janë të fortë. Ata janë në minorancë me 99% të tjerë që paguajnë taksat, nuk i bien njeriu më qafë, nuk bllokojnë progresin e qytetit. Pikërisht, ulërasin për t’i hequr frikën vetes, se ata janë frikacakë e minorancë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se të gjithë ata që do të preken nga rindërtimi, do të marrin edhe bonus qiraje derisa të marrin çelësat e banesave të reja në dorë. “Dy persona të skeduar si “peshkaqen fajdesh”, të cilëve OFL-ja u sekuestroi 18 makina dhe 5 milionë euro asete, thoshin: Ku do rri unë me qira? Qiranë do e paguajë bashkia, ti thjesht mos përdor partinë tënde politike, për të penguar investimet e bashkisë”, deklaroi ai.
Veliaj shtoi se ajo që ndodhi në Astir është tregues i qartë se në fund të projektit, banorët do dalin më të fituar. “Nëse të gjithë themi që duhet të lirohet trafiku, ku do kalojnë këto rrugë? Te Astiri 3 vite sherr, morën paratë për bukuri, u shpronësuan dhe iu ka dalë më mirë. Kemi shpronësuar disa karabina, që nuk ishin shtëpi. Në një situatë normale, të zaptosh dhe të jesh në aks të rrugës dhe t’i marrësh me vlerë çmimi tregu, për një gjë që ishte karakatinë, kjo nuk ka bërë vaki në ndonjë vend”, nënvizoi ai.
Banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100% për pronën e tyre. Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re.
Top Channel