Korea e Veriut ka rinisur transportin hekurudhor të mallrave me Kinën pas dy vjet pezullimi prej koronavirusit, njoftoi dje ministria e jashtme kineze.
Zëdhënësi Zhao Lijian tha se “pas konsultimeve miqësore mes dy palëve” hekurudha mes Dandong në Kinë dhe Sinuiju në Korenë e Veriut është rihapur.
“Dy palët do të punojnë për lehtësimin e tregtisë normale mes vendeve duke garantuar parandalimin dhe sigurinë e sëmundjes,” tha Zhao, kur u pyet nga gazetarët për raportimet e një treni të ardhur nga Korea e Veriut në Dandong në fundjavë.
Dy vendet kishin pranuar në nëntor të hapnin kufijtë e tyre por raportohet se hoqën dorë pas zbulimit të shtimit të rasteve të virusit në Dandong.
Hekurudha Dandong-Sinuiju kalon përgjatë lumit Yalu dhe është rruga kryesore tregtare mes Kinës e Koresë së Veriut, në një kohë kur kjo e fundit vuaan nga mangësi të mëdha furnizimi me ushqim, mjekime e magësi të tjera prej sanksioneve të ashpra ekonomike të SHBA e OKB.
Kina është furnizuesi kryesor i Koresë së Veriut dhe përbën 90 përqind të tregtisë së jashtme të vendit të izoluar.
Ndërkohë Peniani ka mbyllur kufijtë për të gjithë vizitorët dhe fluturimet e huaja, madje dhe udhëtimet e brendshme janë kufizuar.
Nuk ka raportime zyrtare për raste koronavirusi në Korenë e Veriut por vendi ka refuzuar vaksinat perëndimore të Covid-19.
The Financial Times raportonte në nëntor se imazhet satelitore tregonin ndërtimin e disa qendrave të dekontaminimit në pika doganore, që tregonte se vendi po përgatitej për rihapjen ndaj importeve.
Top Channel