Mbyllet vizita e Erdogan në Shqipëri/ U nënshkruan 7 marrëveshje mes dy qeverive! Inauguroi lagjen me 522 banesa në Laç dhe xhaminë Et’hem Beu

17/01/2022 19:00

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan nisi sot një vizitë në Shqipëri, me një agjendë të ngjeshur, e cila përfshin që nga përurimi i veprave të financuara nga qeveria turke, deri te nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta, duke e mbyllur me një fjalim, që presidenti turk mbajti pasdite në parlamentin shqiptar. Kjo është vizita e tij e parë për këtë vit jashtë shtetit.

Gjatë qëndrimit të tij rreth 7 orë Presidenti Erdogan nënshkruajti shtatë marrëveshje me vendin tonë, ndërsa mori pjesë edhe në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin, të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin.

Mirëseardhjen në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, Presidentit turk ia uroi kryeministri Edi Rama. Pas përshëndetjes së rastit, në këmbët e avionit nga ku Erdogan zbriti, u kënduan himnet e dy shteteve.

Dy liderët kanë vazhduar të ecin mbi tapetin e kuq për t’u përshëndetur me ministrat e kabinetit qeveritar, të gjithë të pajisur me maskë, ku dhe u shmangën shtrëngimet e duarve si pasojë e pandemisë. Ata e përshëndeten me dorë në zemër, një gjest ky reciprok.

Më pas, kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan u nisën të vizitonin banesat e rindërtuara në Kurbin, një financim i qeverisë turke.

Presidenti turk në fjalën e tij u shpreh se gëzimi i shqiptarëve është edhe gëzimi i tij, duke shtuar se “vëllai i qëndron pranë vëllait, kur ka nevojë dhe jo kur thirret”.

Për numrin një të Qeverisë shqiptare 17 janari është një ditë e veçantë, pasi sipas tij, Erdogan është një “mik i çmuar, jo vetëm i shqiptarëve por edhe i imi”.

Rama u kthye pas në kohë, në takimin e parë me presidentin turk, duke deklaruar se dikur ai i kishte thënë se “Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time”.


Ceremonia u hap me fjalën e kryetares së Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, e cila u shpreh e lumtur dhe mirënjohëse karshi Qeverisë turke, që ka investuar në kompleksin rezidencial, pas dëmtimeve që la tërmeti në këtë qytet.

Fjalën pas saj e mori ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit në Turqi, Murat Kurum. Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të kompanive shqiptare të angazhuara në ndërtimin e kësaj lagjeje, me kompaninë turke, që dua t’i falënderoj për profesionalizmin”, tha Kurum.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi një histori personale të kryebashkiakes së Kurbinit, e cila humbi banesën e saj nga tërmeti.

Në tërësi, do të jenë 522 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë.

E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.

Në një konferencë të përbashkët, presidenti turk Erdogan dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në aspektin ekonomik.

Ata nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së arkivit shtetëror të Turqisë dhe drejtorisë se përgjithshme të arkivit të Shqipërisë.

Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe sporteve ndërmjet dy ministrive të dy vendeve.

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet agjencisë Anadolu dhe agjencisë telegrafike shqiptar.

Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

Memorandum mirëkuptimi në fushën e menaxhimit të fatkeqësive ndërmjet drejtorisë se emergjencave dhe ministrisë së brendshme të Turqisë.

Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe ministrisë se jashtme të Shqipërisë për bashkëpunimin ne fushën e protokollit.

Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë se Përgjithshme Shtetërore të Operës dhe Baletit dhe ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe Ansamblit të Operës dhe Baletit te folklorit shqiptar.

Në fjalën e tij në Kuvend,  Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi Shqipërisë ta zgjidhë përfundimisht çështjen e organizatës së Fetullah Gulen, ‘FETO’, të cilën e akuzon si përgjegjëse për grushtin e shtetit të vitit 2016.

Erdogan e cilësoi parakusht të marrëdhënieve të mira me Shqipërinë luftën kundër asaj që ai e quan organizatë terroriste, që sipas presidenti turk i ka shtrirë rrënjët kudo, në arsim, fe e sipërmarrje.

Ai tha se institucionet e lidhura me ‘FETO’ kanë agjentë të fshehtë, që herët a vonë e nxjerrin kokën diku.

Presidenti turk e vlerësoi si një marrëdhënie të ngritur zyrtarisht në nivelin e partneritetit strategjik, atë mes Shqipërisë dhe Turqisë, teksa vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

Sipas Erdogan, marrëdhënia 600-vjeçare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk është vetëm ajo mes dy shteteve, por edhe mes dy kombeve që sipas tij ka gjurmë kudo.

Në fund të vizitës së tij njëditore në Shqipëri, ai mori pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet.

FOTO GALERI
37/77

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA