Në 31 vjetorin e krijimit të degës së Partisë Demokratike në Lezhë, ish-kryeministri Sali Berisha këtë të shtunë deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist ku një njeri, i cili ka uzurpuar të gjitha pushtetet, mendon se mund të mbajë peng edhe pluralizmin në Shqipëri.
Në fjalën e tij para demokratëve të Lezhës, Berisha tha se të rinjtë, djem dhe vajza, janë larguar nga Shqipëria, madje sipas tij, qarku i Shkodrës zë vendin e parë për largimin e popullsisë së saj në moshë të re.
“Shqiptarët kanë një qeveri, e cila si një lubi, vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh“, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha e akuzoi qeverinë Rama për korrupsion masiv, duke deklaruar se vetëm për një kilometër rrugë e realizuar prej tij ka kushtuar tetë herë më shumë se sa ndërtimi i një kilometri rrugë të realizur me parat e bankave.
“Nëse këto para do të merreshin nga bankat, vjedhja e tyre do të ishte e pamundur“, tregoi Berisha.
Ai tha se shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë sot qeverinë e tyre që shpenzon në 8 vite 8.2 miliardë euro dhe ngado që të hidhen sytë në këtë vend, do të vihen re punë të kryera, aq sa një qeveri normale do të realizonte vetëm në 6 muaj.
“Ai është armiku i vetëm i qenies suaj. Ai arreston çdo ditë njerëz që s’kanë mundësi të paguajnë faturat. Edhe në diktaturë ua paguante shteti. Shqipëria është i vetmi vend në botë që arreston qytetarët për çështje civile”, tha Berisha.
Ashtu siç edhe e kërkon tradita, ish-kryeministri Berisha e filloi fjalën e tij në këtë 31 vjetor me një falendërim të madh për të gjithë ata burra dhe gra, të rinj dhe të reja të kësaj force politike që për tre dekada i qëndruan besnik Partisë Demokratike. Ai nënvizoi në veçanti se sot përulet me nderim të thellë para atyre, burrave dhe grave, që 31 vite më parë themeluan atje degën e PD-së, si një forcë të lirisë dhe interesit kombëtar.
“Rrënjët e shkuara janë të domosdoshme për tu njohur, për tu nderuar në mënyrë që e ardhmja të jetë ajo që ne duam. Ne jemi një parti e traditës dhe nuk heqim dorë nga tradita jonë, ne e respektojmë atë. Ndaj jemi me të vërtetë një parti konservatore. Ne i nderojmë rrënjët dhe historikun tonë sepse duam të projektojmë të ardhmen tonë më të mirë”, tha ish-kryeministri.
Ai tregoi më tej se fillimet e kësaj dege nuk ishin aq të lehta, si për PD-në e Lezhës dhe mbarë Shqipërinë.
“Në atë kohë në takimet e shumta përpjekjet e diktaturës në Lezhë ishin aq të shumta dhe po kaq të mëdha ishin edhe dështimet e saj për të manipuluar burrat dhe gratë e Lezhës, në rrugën e tyre të lirisë”, tha Berisha.
Top Channel